Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka theksuar sot se Washingtoni vazhdon të mbështesë BE-në në përpjekjet për të arritur zgjidhje në kuadër të zhvillimeve në Kosovë.
Po ashtu Hill i bëri thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të vazhdojë angazhimin konstruktiv në procesin e dialogut në Bruksel.
“Një qasje konstruktive është sigurisht mënyra për të gjetur zgjidhje. SHBA dhe BE veprojnë në bashkëpunim në lidhje me Kosovën, duke shtuar se ai beson se të dyja palët e kuptojnë se duhet të arrijnë një zgjidhje”, tha Hill pas takimit me Vuçiq, transmeton lajmi.net.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme në Bruksel është zhvilluar një takim tetë orësh në mes Kurtit dhe Vuçiq, me ndërmjetësim të Shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Joseph Borrell dhe përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim nuk është arritur një marrëveshje për targat, ndërsa Lajçak deklaroi se propozimin e BE-së e pranoi Vuçiq, por jo Kurti.
Ndërsa kryeministri Kurti deklaroi se Borrell hoqi dorë nga normalizimi i marrëdhënieve në mes dy vendeve.
Por disa orë më vonë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të shtyjë vendimin për shqiptimin e gjobave për 48 orë të tjera.
Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Hovenier për përkushtimin derisa tha se pranon këtë kërkesë për shtyrjen e vendimit për 48 orë.
Ndryshe sot Policia e Kosovës parashihej të niste shqiptimin e gjobave prej 150 euro për serbët të cilët nuk kanë konvertuar targat ilegale në RKS.
Mbetet të shihet nëse çështja në mes Kosovës dhe Serbisë do të ndryshohet, derisa në veri të vendit raportohet për situatë të qetë.