“Më shumë se gjysma e problemeve në sistemin e drejtësisë do të adresohen, do të fuqizohen mekanizmat disiplinorë dhe të performancës në kuadër të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial. Pastaj trupat e verifikuar nga mekanizmat e jashtëm do ta bëjnë vettingun edhe te prokurorët dhe gjyqtarët e tjerë”, kështu ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sa i përket dhënies së dritës së gjelbër nga Komisioni i Venecias për vetting në drejtësi.
Haxhiu, në një intervistë për RTV Dukagjini, ka thënë se Komisioni i Venecias, nuk është një instancë që vulos dokumente që adresohen nga ministritë apo shtetet, është instancë profesionale për avancimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Sipas saj, ky komision është një trup profesional që ofron rekomandime në raport me draftet që dërgohen për opinion.
Ajo ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë opinionin e Venecias edhe për Byronë Shtetërore për verfikimin e pasurisë së pajustifikueshme, sikurse atë të vettingut.
Ajo ndër të tjera ka thënë se për këtë ligj, do të punohet me ekspertë të ndryshëm, pasi është ligj i ndjeshëm dhe që realizohet për herë të parë.
“Jemi dakorduar që bashkarisht si institucione, pasi është ligj i ndjeshëm dhe që bëhet për herë të parë, koncepti i konfiskimit civil, të punojmë me ekspertë të ndryshëm që ato rekomandime të i adaptojmë në këtë projektligj”, ka theksuar ajo.
E pyetur nëse do të merret parasysh rekomandimi i Komisionit të Venecias që të bëhen bashkë Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) në një organ të vetëm, ajo ka thënë se nëse autoritetet e Kosovës vlerësojnë se ky është mekanizmi i duhur, atëherë do të merren veprimet e duhura sikurse kanë bërë përmes rekomandimeve.
Por, sipas saj, Agjencia kundër Korrupsionit ka natyrë dhe përgjegjësi tjetër.
“Kjo agjenci ka për qëllim parandalimin e korrupsionit, merret me deklarimet e pasurisë, përmes ligjit parashihet që zyrtarë të deklarojnë pasurinë e tyre”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se duhet të fuqizohet Agjencia për Korrupsion, e në anën tjetër të themelohet Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, siç ka rekomanduar Komisioni i Venecias.
Sipas saj, në rekomandime nga Komisioni i Venecias përmendet që duhet të evitohen disa formulime që të jenë në përputhje me të drejtat e njeriut.
“Gjashtë janë rekomandime kryesore, por edhe të tjerat, para se të vijmë te konluzioni i opinionit të Venecias, ne do të jemi të gatshëm t’i adaptojmë ato”, ka thënë ajo.
Sipas Haxhiut, Kosova duhet të jetë shembull si një shtet i ri i zbatimit të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, sepse nuk e ka luksin që të jetë një vend që nuk i respekton rekomandimet e një instance të rëndësishme të Këshillit të Evropës.
Ajo ka thënë që Komisioni i Venecias ka dhënë dritën e gjelbër për ndryshime kushtetuese për të verifikuar integritetin e niveleve më të larta të sistemit të drejtësisë, sepse siç thotë ajo problemi është me nivelet e larta të sistemit të drejtësisë.
Sipas saj, fajin për këtë e kanë edhe qeveritë e kaluara që kanë vendosur në pozita persona për interesa të ndryshme individuale.
“E kam thënë pafund herë, problemin e kemi me nivelet e larta, në të kaluarën këto pozicione nuk janë mbërrirë në bazë të meritokracisë dhe transparencës, por për interesa të ndryshme indiviudale janë vendosur në ato pozita”, ka shtuar ajo.