Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, përmes një statusi në Facebook, ka kritikuar Qeverinë, duke e quajtur “Qeveri hipokritësh që paaftësinë mundohen ta shesin si vlerë”.
Haxhiu tha se sa herë që procedohet Projektligji për Trustin në Kuvend, “Qeveria del me propozime pa efekt në tejkalimin të krizës ekonomike”.
Ndër të tjerash, deputeti i PDK-së, tha se nuk ka pas asnjë qeveri me “kaq pak punë e kaq shumë korrupsion e nepotizëm për një vit e gjysmë”.
Postimi i plotë:
Qeveri hipokritësh që paaftësinë mundohen ta shesin si vlerë.
Sa herë që po procedohet Projektligji për Trustin në Kuvend, Qeveria del me propozime pa efekt në tejkalimin të krizës ekonomike.
Në periudhën kur e kam dorëzuar Projektligjin për Trustin, kryeministri Kurti me urgjencë ndau 100 euro lemoshë për qytetarët.
Tani kur Iniciativa Qytetare për tërheqjen e deri 30% të Trustit mori mbështetje të madhe, iniciatoret dhe vullnetarët e peticionit për Trustin dorëzuan 21 mijë e 398 nënshkrime për ta riproceduar Projektligjin për Trustin në Kuvend, kryeministri paska dalë me një propozim të ri.
A duhet Trusti dhe qytetarët ta aktivizojën Qeverinë, apo Qeveria duhet të jetë aktive në shërbim të qytetarëve?!
Qeveri që legjitimon paaftësinë, nepotizmin dhe mbron të korruptuarit, kaq pak punë kaq shumë korrupsion e nepotizëm për një vit e gjysmë nuk ka pas në asnjë Qeveri deri më sot.