Viti 2024 për Shqipërinë është vlerësuar i sukseshëm në fushën e integrimit evropian. Kështu deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Igli Hasani duke thënë se prioritet i tyre mbetet rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian dhe se objektivë mbetet mbyllja e negociatave teknike brenda vitit 2027.
Po ashtu Hasani gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët potencoi se Kosova është prioritet kombëtar.
Hasani ka përmendur se viti 2024 filloi më angazhime të rëndësishme diplomatike për Shqipërinë duke numëruar organizmin e samiteve mbajtjen e dy konferencave ndërqeveritare midis BE-së dhe Shqipërisë, etj.
“Objektivi ynë është i qartë për vitin 2025, synojmë të hapim të gjithë grup-kapitujt dhe të mbyllim sa të mundim nga kapitujt të cilët do të jenë të hapur deri në fund të vitit. Në fund të vitit 2027 planifikojmë të mbyllim të gjitha negociata teknike dhe të jemi gati për anëtarësimin në BE në vitin 2030. Ky është një qëllim ambicioz”, tha Hasani.
Ai ka përmendur se Shqipëria gjatë vitit 2024 është përkushtuar për stabilitet ne rajon derisa nënvizoi se Kosova është prioritet kombëtar.
“Marrëdhëniet me Kosovën janë të karakterizuara nga solidariteti i thellë dhe mbështetja njëri tjetrin në sfidat ndërkombëtare. Shqipëria e vlerëson Kosovën gjithmonë në thelb të politikës sonë të jashtme dhe Kosova mbetet prioriteti ynë kombëtar. Do të vazhdojmë të japim mbështetjen të vazhdueshme për ruajtjen e stabilitetit të Kosovës në një periudhë me sfida të brendshme por edhe të jashtme. Kemi mbështetur gjithmonë dialogun e lehtësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai.
Ministri Hasani u deklaruar se Shqipëria ka dënuar aktet terroriste në veri të Kosovës dhe se ka inkurajuar palët për arritjen e një marrëveshje për paqe të qëndrueshme.
“Shqipëria me rolin e vet konstruktiv në dialog ka inkurajuar palët për të shprehur fleksibilitet dhe angazhim të vërtetë për arritjen e një marrëveshje që do të respektoj të drejtat e gjithë qytetarëve dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme. Kemi ofruar mbështetje të vazhdueshme për Kosovën duke lobuar që mundësitë e këtij dialogu të përfshijnë përfitime të prekshme për të dy vendet dhe për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare….. Ne kemi bërë thirrje për qëndrime të forta dhe të koordinuara ndërkombëtarisht për të dënuar aktet e dhunës e terrorit kur ato përdoren si mjete për të cenuar paqen dhe stabilitetin në rajon”, theksoi ai.
Ndër të tjera Hasani tha se Shqipëria e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë.