Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, takimin e sotëm të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, e quajti takim mes vëllezërve dhe motrave.
Ai tha se në një takim të këtillë nuk duhet të fshihet e vërteta.
“Situata e sigurisë në Kosovë është e brishtë. Për herë të parë në 20 vjet është sulmuar një pjesë e vendit nga grupe terroriste e të armatosura me arsenal ushtarak. Hapat e gabuar e të pakoordinuar të qeverisë së Kosovës, të kryeministrit të Kosovës, me partnerët strategjikë, posaçërisht të ShBA-së, për integrimin e serbëve të veriut, kanë bërë që Serbia nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare të shihet si viktimë, e Kosova, të them më së buti, e papërgjegjshme dhe shtet joserioz. Si pasojë, jemi nën sanksione të BE-së dhe ShBA-së. Pra, Kosova është në të njëjtin thes me Korenë e Veriut nga kryeministri Kurti dhe qeveria e tij”, tha kreu i AAK-së, kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai tha se kurrë Kosova nuk ka pasur raporte më të ftohta me partnerët strategjikë të vendit.
Haradinaj vazhdoi kritikat ndaj Kurtit, duke përmendur rastin kur, sipas tij, kryeministri e ka quajtur Sekretarin e Shtetit amerikan “naiv”.
“Unë mendoj se çdo veprim i Kurtit është në përputhje të plotë me agjendën e Serbisë dhe të Rusisë. Dora e tij përçarëse ka depërtuar edhe te bashkëkombësit tanë në Maqedoni e Preshevë. Bile, e bëri një përpjekje edhe në Shqipëri, por ju nuk e lejuat”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se Shqipëria ka bërë kujdes që nuk është përzier në fushatat e brendshme zgjedhore të Kosovës, dhe tha se këtë respekt të ndërsjellë do ta vazhdojë edhe Kosova.
“Por, kërkojmë ndihmën e Shqipërisë për diçka që është jetike për Kosovën, për sigurinë tonë të përjetshme, ndihmën për anëtarësimin direkt në NATO”, tha kryetari i AAK-së. /Klankosova.tv