Mospërfshirjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në procesin e vetingut, njohës të sistemit të drejtësisë e arsyetojnë me atë se Gjykata Kushtetuese është gjykatë e re, e paraparë me Kushtetutë dhe e themeluar me një ligj të veçantë.
Procesi i Vetingut në sistemin e drejtësisë i nisur nga Qeveria, në fund të vitit të kaluar u bart në Kuvend. Për përgatitjen e bazës ligjore për vettingun dhe administrimin e tij u formua Komisioni ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar.
Kuadri ligjor pritet të finalizohet gjatë këtij viti. Kjo i hap rrugë fillimit të vettingut të cilit do t’i nënshtrohen gjyqtarë e prokurorë, por jo edhe gjyqtarët e Kushtetueses.
Në Shqipërinë fqinje, vettingu i kishte prekur edhe gjyqtarët e kushtetueses. Kjo praktikë është e rrallë dhe e panevojshme për Kosovën, thotë juristi Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Vetingu edhe për gjyqtarët e Kushtetueses ka qenë karakteristikë për Shqipërinë. Por, në Kosovë një gjë e tillë nuk ka kuptim, sepse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë mandat të përhershëm siç janë gjyqtarët dhe prokurorët e rregullt. Emërohen nga Kuvendi i Kosovës përmes një procesi që kryesisht udhëhiqet nga Kuvendi. Pra, është e pakuptimtë të zhvillohet një proces i vetingut për një numër të caktuar të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetueses që kanë mandat maksimumi 9 vite”, tha Miftaraj.
Nga ana e tij, profesori universitar, njëherësh ish gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se gjyqtarët e kushtetueses mund t’i nënshtrohen vettingut të fundit, ashtu siç ka ndodh në shumë vende.
“Për mos përfshirjen tash janë dy situata; e para, se Gjykata Kushtetuese është gjykatë e re në raport me gjykatat e tjera në vend. Dhe e dyta është se Gjykata Kushtetuese nuk është në kuadër të Ligjit mbi sistemin juridik të Kosovës, por është themeluar me ligj të veçantë apo “lex-specialis”. Për këtë arsye mund të vonohet, por më vonë edhe gjyqtarët e kushtetueses kanë për t’iu nënshtruar procesit të vetingut”, tha ai.
Mospërfshirja e gjyqtarëve kushtetuese në vetting përmendet edhe në Koncept dokumenti për zhvillimin e procesit të Vettingut. Aty, mes tjerash thuhet se “vettingu për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, do të nënkuptonte ndryshime të thella në Kushtetutë apo suspendim të neneve kushtetuese që flasin për përbërjen, mandatin, pavarësinë dhe organizimin e saj, rezultati i të cilave s’do të ishte përmirësimi i Gjykatës Kushtetuese, por bllokim i saj./EO