“Skajshmërisht të rëndësishme” e quajti ambasadorin serb në Uashington, Marko Gjuriç, thirrjen e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, për të shtyrë për një periudhë dhjetë-muajshe çështjen e riregjistrimin të targave të paligjshme serbe në pjesën veriore të Kosovës, raporton gazeta online Reporteri.net.
Në një intervistë për televizionin propagandistik serb, Tv Happy, Gjuriç tha se kohët e tashme në marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në, “kanë ndërruar”. Veçanërisht ai iu referua thirrjeve amerikane drejtuar Kosovës për çështjen e targave.
“Këso gjërash kanë qenë të paimagjinueshme në periudhat e mëhershme, sepse kishte mbështetje të pastër ndaj aktiviteteve politike të Prishtinës, ndërsa sot shumë e kritikojnë Kurtin, i cili ia doli të shtyjë mbështetësit tradicional larg vetes”, ka thënë Marko Gjuriç.
Madje, ai shtoi se shqiptarët e Kosovës dhe qeveria e Albin Kurtit “kanë humbur monopolin e marrëdhënieve të mira” me ShBA-në dhe Perëndimin, duke pretenduar edhe se Serbia ka arritur të “ndërrojë imazhin me argumente më të forta dhe më serioze”.