Ministrja e Jashtme, Donika Gervalla, ka përsëritur se Kosova nuk do të pranojë asnjëherë një Asociacion të Komunave Serbe me pushtet ekzekutiv, pasi kështu shkelet Kushtetuta, raporton EURACTIV.
Administrata e mëparshme nënshkroi një marrëveshje për formimin e Asociacionit, i cili do të funksiononte në Kosovë në mënyrë të pavarur nga institucionet shtetërore. Gjykata Kushtetuese vendosi kundër tij dhe presidentja Vjosa Osmani tha se serbët etnikë janë të mirëpritur të krijojnë një shoqatë, por ajo do të funksionojë si një OJQ.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë vazhdimisht se një strukturë paralele nuk mund të bashkëjetojë me qeverinë dhe do të ishte e dënuar me dështim, si në Bosnje dhe Hercegovinë, thuhet tutje në rrjetin e pavarur mediatik pan-evropian.
Gërvalla tha të hënën se asociacioni siç dëshiron Serbia dhe serbët etnikë nuk është i mundur.
“Asociacioni për të cilin palët janë marrë vesh në Bruksel, por për të cilin palët janë pajtuar që të zbatohet vetëm pasi të ketë kaluar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nuk mund të zbatohet sepse është në kundërshtim me kushtetutën”, tha ajo, duke shtuar se një vendim për të zbatuar diçka që shkel kushtetutën, nuk duhet të ishte marrë kurrë.
Lidhur me dialogun në vazhdim, Gërvalla tha se Serbia duhet të bëjë lëshime në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe “shumë tema të tjera”. Shqiptarët etnikë që jetojnë në Luginën e Preshevës janë hequr nga regjistri civil në atë që është përshkruar si “spastrim etnik administrativ”, duke i penguar ata të votojnë, të kenë qasje në kujdesin shëndetësor dhe të kryejnë detyra të tjera themelore.
Gjithashtu, të hënën, Tanja Fajon, zëvendëskryeministrja dhe shefja e diplomacisë sllovene, vizitoi Prishtinën dhe u takua me Gërvallën. Pas takimit, Fajon shprehu shqetësimin për rreziqet e sigurisë në rajon dhe bëri thirrje për normalizimin e marrëdhënieve.
“Ne të gjithë jemi të shqetësuar për rreziqet e sigurisë në Ballkan; ne duam një Ballkan të fortë dhe një Kosovë të fortë. Tensionet në veri, thashë se Kosova duhet të përpiqet të normalizojë marrëdhëniet. Le të fillojnë negociatat për të folur për propozimin e sponsorizuar nga BE-ja për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Fajon.
Fajon konfirmoi gjithashtu lidhjet e forta mes dy vendeve dhe tha se Sllovenia do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithëse aplikimi i saj i fundit për anëtarësim në BE nuk u përmend.
Më vonë këtë javë, i dërguari special i BE-së për Ballkanin, Miroslav Lajcak dhe homologu i tij amerikan Gabriel Escobar do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë për të përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut të nivelit të lartë në Bruksel