Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në seancën e Kuvendit të Kosovës është përgjigjur në pyetjet e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj rreth pengesave për blerjen e armatimit dhe Fondit të Sigurisë.
Haradinaj e pyeti Kurtin nëse është e mundur që çështja e Fondit të Sigurisë të rregullohet me ligj si dhe nëse ka pengesa për blerjen e armatimit.
“Sa i përket blerjes së armatimit dhe shpenzimeve tjera në fushën e mbrojtjes ka ca pengesa te ne ligjore e procedurale, por ka pengesa edhe tek shtetet ku jemi të interesuar të pajisemi. Prandaj, p0o bëjmë krejt çka dimë që të shkojmë sa më shpejt dhe pajtohem që konteksti gjeopolitike e gjeostrategjik nënkupton që edhe buxheti për 2022 ta rishikojmë se askush nuk e di si do të shkojnë muajt në vijim”, tha Kurti, raporton Telegrafi.
Ndërkaq, sa i përket Fondit të Sigurisë, kryeministri tha se dëshirojnë të rritet sa më shumë e shpejt, ndërsa a e ndihmon këtë Ligji do ta diskutoj me ministrin e Mbrojtjes për të parë sa është e mundur.
“Për ushtrinë e kemi rritur buxhetin në 1.4 për qind të Bruto Produktit Vendor, që siç dihet i është ofruar 8 miliardëshit në vendin tonë dhe do të vazhdojmë me këtë trend viteve që vijnë për të arritur standardin e NATO-s prej 2 për qind të bruto produktit”, tha Kurti.
Ai shtoi mbrojtja dhe ushtria janë dy fushat ku më së shumti e kanë rritur buxhetin.