Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave në lidhje me Zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me datë 14 shkurt 2021
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bën të ditur se lidhur me zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më datën 14 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale Falsifikimi i rezultateve të votimit, e sanksionuar me nenin 216 të KPRK-së.
Në mesin e të akuzuarve janë: H. Sh. ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të pandehurve S. M., A.K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P.P.
Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete M.H.S. nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit H.Sh. ia kanë shtuar 3 vota.
Hetimet arritën të dëshmojnë përfshirjen e kandidatit H. Sh në kryerjen e veprës penale, mirëpo nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M.H.S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale.
Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.