Kësaj radhe edhe nga zyrtarët e BE-së është thënë se “presin marrëveshje të rëndësishme në këto takime”. Nga burimet diplomatike mësohet se tashmë janë të gatshme dy marrëveshje apo, më mirë të thuhet, marrëveshje për implementimin e marrëveshjes për energjinë, të arritur qysh në vitin 2013 e të konfirmuar në vitin 2015 dhe një deklaratë për të pagjeturit.
Rastësisht apo jo, pikërisht në javën kur në Bruksel zhvillohet Samiti i Bashkimit Evropian, si dhe një takim i përbashkët i liderëve të bllokut dhe Ballkanit Perëndimor, zhvillohen edhe takime të reja në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Brukseli.
Bashkimi Evropian gjithmonë takimet e tilla i quan si “në kuadër të dialogut”, sepse nuk mund t’i quajë si “takime të palëve”, pasi shumë rrallë ka pasur në dy vjetët e fundit takime direkte mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.
Më shumë takimet janë zhvilluar veç e veç nga secila palë me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Deri më tash, ka pasur shumë pak apo fare nuk ka pasur rezultate në dialog. Pos një “pajtimi” për aranzhime të përkohshme rreth targave të veturave, duke u mbuluar me letër ngjitëse shenjat shtetërore për veturat që kalojnë nga një shtet në tjetrin, asnjë marrëveshje konkrete nuk është arritur për vite.
Palët kanë shkëmbyer akuza ndaj njëra-tjetrës për mungesë të suksesit në dialog, ndërsa përfaqësuesit e BE-së kryesisht kanë heshtur.
Por edhe në BE po ndihet tash një dozë e frustrimit për mungesën e rezultateve në dialog. Prandaj janë rritur edhe thirrjet që sa më shpejt të ketë progres konkret.
Këtë javë, më 21 qershor, për “takime në kuadër të dialogut” do të jenë në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.
Kësaj radhe, edhe nga zyrtarët e BE-së është thënë se “presin marrëveshje të rëndësishme në këto takime”.
Nga burimet diplomatike mësohet se tashmë janë të gatshme dy marrëveshje apo, më mirë të thuhet, marrëveshje për implementimin e marrëveshjes për energjinë, të arritur qysh në vitin 2013 e të konfirmuar në vitin 2015 dhe një deklaratë për të pagjeturit.
Të dyja këto marrëveshje janë gati tash e një kohë, por kishin mbetur për të sqaruar “vetëm disa detaje”.
Te marrëveshja për energji, pengesë ka qenë certifikimi i Elektroseverit, që do të ishte përgjegjës për distribuimin e rrymës në veri të Kosovës, ndërsa Serbia nuk ka qenë aq shumë e interesuar që të arrihet pajtimi, sepse pas kësaj, edhe serbët në veri do të duhet ta paguajnë rrymën.
Ka pasur ide që, në rast të pajtimit në nivel të kryenegociatorëve, marrëveshjet të finalizohen edhe në një takim në nivelin e lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nëse nuk llogaritet takimi i tyre joformal në Berlin, ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i posaçëm, Lajçak, për më shumë se një vit nuk ka pasur takime mes Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut.