Rreth 8 për qind e njerëzve në Kosovë vuajnë nga sëmundja kronike e diabetit, ndërsa lloji më i përhapur i kësaj sëmundje është TIP-2. Me qëllim që të ofrohen medikamente më të përshtatshme për trajtim të diabetit tani po punohet edhe në zgjerimin e barnave të listës esenciale për këtë sëmundje.
Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Emini-Sadiku u shpreh se mbi 90% e pacientëve në këtë klinikë u takojnë atyre me diabet, ndërsa deri në 900 pacientë në vit marrin trajtim spitalor për këtë sëmundje.
Sipas saj, sëmundja e diabetit, që ndryshe njihet si e sheqerit, është ndër sëmundjet më të përhapura në vendin tonë.
“Në Klinikën e Endokrinologjisë dominojnë pacientët me diabet, mbi 90% janë pacientë që kanë sëmundje me sheqerin, kryesisht me diabet TIP 2, diku 95 % të atij 90%, pjesa tjetër e kemi diabetin e të rinjve që kanë qenë një kohë mosha fëmijërore që vazhdojnë edhe në moshë të pjekur ta kenë diabetin. Po ashtu kemi diabet gistacional dhe forma të tjera shumë të rralla. Diabeti TIP 2 dominon si në tërë botën edhe në Kosovë , ne si klinikë i kemi 800-900 pacientë brenda vitit, ndërsa rreth 12 mijë vizita specialistike që realizohen në dy ambulanca specialistike ku çdo ditë nga 4 endokrinologë japin shërbime për popullatën… Është shumë e përhapur një prej sëmundjeve kronike me numër më të madh në vend pas sëmundjeve kardovaksulare, nga sëmundjet kronike është diabeti, nuk është çudi që mbi 60% e pacientëve tanë kanë komplikime kardiovaskulare, mbi 50% probleme neurologjike, ky është një shqetësim sepse këta pacientë janë të predispozuar për të pas ulçera të këmbëve edhe këta pacientë mund të përfundojnë në kirurgji vaskulare” , theksoi ajo.
Në Kosovës pacientët me diabet kryesisht ata të TIP-it 1 ende nuk marrin trajtim me pompa insulinike, ndërsa shiritat për matjen e glikemisë ende nuk janë siguruar nga institucionet shtetërore, por pacientët detyrohen t’i sigurojnë vetë.
Endokrinologia Emini-Sadiku thotë se Klinika e Endrokrinologjisë pranë QKUK-së ofron kushte për trajtim të kësaj sëmundje.
“Ne ende në Kosovë nuk kemi trajtimin me pompa insulinike për pacientët që janë të rinjtë me diabet TIP 1, nuk kemi sigurim të shiritave për matjen e glikemisë kjo i kushton edhe shtetit sepse diabeti është sëmundje e kushtueshme, mirëpo së paku tu lehtësohet gjendja disa kategorive të cilat janë më vulnerabile moshat e shtyra tu jepen shirita nga qeveria apo komuna. Tu lehtësohet gjendja”, vijoi ajo.
Trajtimi me insulina është gjithmonë prezent, ndërsa trajtimet e tjera me medikamente siç janë për shembull sot në botë që u jepet shumë përkrahjes dhe GLP.
Kryetari i Shoqatës së Endokrinologëve dhe Diabetologëve, Bardhyl Gashi u shpreh se deri 15% e pacientëve në Kosovë që vuajnë nga diabeti janë të varur nga insulinat.
Gashi për KosovaPress tregon se në vendin tonë diagnostikimi i kësaj sëmundjeje bëhet në faza më të vonshme, prandaj thekson nevojën për edukim dhe vetëdijesim rreth diabetit.
“Diabeti është një sëmundje kronike e cila është e shprehur deri në 10% të popullatës duke u nisur prej asaj që në Kosovë jemi moshë e re dhe në Kosovë e kemi diku rreth 8%… Diku 10 apo 15% e të sëmurëve që janë me diabet tek ne janë të varur prej insulinës. Po ashtu, kemi edhe pacientë me diabet TIP 1, numrin e saktë nuk e di sa është, por kemi edhe shumë prej tyre…. Pacientët vijnë zakonisht pas një kohe të gjatë që e kanë diabetin kur fillon me humb peshë, apo kur paraqiten disa simptoma që janë të padurueshme si etja, urinimi i shtuar edhe ata kanë oreksin e shtuar ”, theksoi ai.
Sipas Gashit, pacientët që ballafaqohen me sëmundjen e sheqerit marrin trajtim meritor, derisa insulinat sigurohen falas nga shteti.
Ai thekson se po punojnë për zgjerimin e barnave nga lista esenciale për trajtim të kësaj sëmundje.
“Shumica marrin trajtim meritor për arsye se ne në kuadër të QKUK në Prishtinë kemi edhe ambulanta specialistike ku vijnë dhe vizitohen pacientët dhe aty mjekohen dhe po ashtu edhe në qytetet e tjera janë të organizuar mirë… Nga komunikimet me pacientë e di që furnizimi me insulina është i mirë… edhe antibiotik oral kanë një sasi që janë në listën esenciale, por ne jemi duke punuar që atë listë esenciale ta zgjerojmë edhe më tepër… Po punojmë që ta zgjerojmë listën e antidiabetikëve oralë që të kenë edhe disa preparate që kanë dalë të reja që të mund t’i fusim në listën esenciale edhe pse e dimë që diabeti nuk është problem si diabet, por problemi kryesor është komplikimet kronike të diabetit duke u nisur nga ajo se sulmon syrin, veshkë, zemrën, enët e gjakut dhe fijet nervore. Dhe për shkak të preventimit të invaliditetit është shumë më mirë të mjekohet me kohë diabeti se do të kemi një kosto më të lirë“, theksoi.
Në kuadër të Javës së Diabetit do të mbahet edhe Kongresi i Katërt i Mjekësisë Diabeti MELIT- Qasja Interdisiplinare e cila do të zgjas dy ditë dhe do të nis nga 18 nëntori 2022.
Ndryshe, diabeti apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak dhe çrregullimi i prodhimit të insulinës. Nëse organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulinë kemi diabet TIP 1, ose nëse prodhimi është i pamjaftueshëm apo ka pamundësia të veprimit të insulinës në qelizat e organizmit kemi diabet TIP 2.
Për të shmangur diabetin, rekomandohet ushqimi i shëndetshëm, aktivitete fizike të përditshme dhe shmangia e pirjes së duhanit.