Deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Haxhi Avdyli, ka thënë se për marrëdhëniet Kosovë-SHBA kanë merita të gjithë udhëheqësit e Kosovës dhe jo vetëm qeveritarët aktualë.
“Marrëdhëniet me SHBA-në nuk jemi ne duke i ndërtuar, kjo është një histori e gjatë prej viteve 90-ta kur presidenti Rugova bashkë me Eliot Engel dhe ambasadorin e atëhershëm kanë ngritur flamurin në Dragodan dhe është hapur zyra e parë e SHBA-së”, tha Avdyli në televizionin publik.
Këtu Avdyli s’gjen vend për kritikë as për ata, të cilët i ka kritikuar për shumë arsye të tjera.
“Po ashtu edhe liderët në të kaluarën, presidentë dhe kryeministra në drejtimin e marrëdhënieve me SHBA-në s’mund t’i kritikojmë, ne mund t’i kritikojmë për çdo gjë tjetër, por të themi që ata kanë qenë të papërgjegjshëm në aspektin e SHBA-së, nuk mund ta bëjmë. As Fatmir Sejdiu, as Ramush Haradinaj, as Hashim Thaçi, nuk kanë qenë të papërgjegjshëm në raport me SHBA-në. Kanë krijuar raporte të mira, kanë qenë shumë korrektë me zyrtarë amerikanë”.
Avdyli tha se shqiptarët e Kosovës nuk shtiren se e duan Amerikën, por se këtë e mendojnë në të vërtetë.