Gjykimi ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmanit, pritet të nisë më 14 korrik të këtij viti.
Lajmin për Telegrafin e kanë konfirmuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
“Po, seanca është caktuar të mbahet më 14 korrik, në orën 10:00”, ka thënë zyrtarja ligjore e kësaj gjykate, Gentiana Hoxha.
Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë ditë më parë ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, Krivaça dhe Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
Pasditen e së dielës, më 22 gusht 2021, para Qendrës së Emergjencës në Ferizaj, u la pa shenja jete 18-vjeçarja, Marigona Osmani, nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.
Të dy u arrestuan më vonë, njëri pas disa orëve e tjetri pas dy ditëve, ndërkaq u bë e ditur më vonë se Marigona ishte torturuar dy ditë me radhë fizikisht e psiqikisht, deri në vdekje.