Rikthimi i Donald Trumpit në pushtet, qasja që do të ketë ndaj rajonit dhe Kosovës në veçanti, gatishmëria e tij për të çuar drejt një zgjidhjeje përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit, apo mundësia e rikthimit të idesë së korrigjimit të kufijve në tryezë. Për të gjithë këto çështje është deklaruar ish-këshilltari i Trumpit për sigurinë në mandatin e parë, John Bolton.
Sipas tij, njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë nën Administratën Trump është e mundur.
“Mendoj se kjo është e mundur. Nëse ai do ta shihte këtë si diçka nga e cila mund të marrë merita, mendoj se do t’i kushtonte vëmendje menjëherë. Ky është një problem shumë kompleks dhe kjo zakonisht nuk e tërheq atë, por mendoj se do të tërhiqet nga çështjet e sigurisë në Evropën Lindore në përgjithësi për shkak të luftës në Ukrainë… Është një moment i mirë për të zgjidhur sa më shumë mosmarrëveshje të vjetra”, është shprehur ai për “A2CNN”.