Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës në shkollën fillore “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë, ku ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Remzija, dhe dy vajzat, Doruntina dhe Diellza.
Pas dhënies së votës, Hamza ka shprehur optimizëm për procesin zgjedhor dhe ka apeluar që të gjithë qytetarët e Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe për të kontribuar në zgjedhjen e qeverisë që do të udhëheqë vendin për katër vitet e ardhshme, raporton Telegrafi.
“Ditë e bukur, ditë me diell. Unë bashkë më bashkëshorten tim dhe dy vajzat Doruntinën, Diellzën dhe djalin e saj e shfrytëzuam të drejtën tonë për me votu. I lus të gjithë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë këtë të drejt, të drejtën e tyre demokratike për me votu, për me zgjedhje qeverinë për katër vitet e ardhshme. Uroj që gjithçka të shkojë mirë, besoj që gjithçka të shkoj mirë. Në fund sovrani vendos, qytetarët votojnë, për mua çdo rezultat që votojnë qytetarët është i pranueshëm. Jam optimist, ka qenë një fushatë mirëpo gjatë gjithë kohës e kam ruajtur energjinë pozitive, pozitivitetin. Juve ju uroj ditë të mbarë”, ka thënë Hamza.