Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka folur sërish për situatën në veri të Kosovës.
AI ka thënë se përplasjet në rrugë nuk kontribuojnë në gjetjen e një kompromisi.
Borrell ka shtuar se ministrat e jashtëm të BE-së, do të diskutojnë sot pikërisht për situatën në veri të Kosovës.
“Ne menduam se kishim arritur një marrëveshje, por serbët e Kosovës iu përgjigjën arrestimit të ish-policit serb të Kosovës me trazira në rrugë, madje ata hodhën shok-bomba ndaj policëve tanë (anëtarë të misionit të BE-së në Kosovë ). Kjo është e papranueshme, e di që të dyja palët po përpiqen për de-përshkallëzimin, por duhet të kuptoni se përplasjet në rrugë nuk çojnë në arritjen e një marrëveshje, e as nuk është rruga e duhur për normalizim të situatës”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Në veri të Kosovës, serbët lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugë qysh të shtunën pasdite.
Ata e kanë ndërmarrë këtë veprim pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë thirrje për largimin e menjëhershëm të barrikadave.