Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me mbështetjen e UNFPA-së, ka organizuar konferencën “Java e Regjistrimit të Popullsisë 2023”, që do të mbahet deri më 11 nëntor, me qëllim të realizimit sa më profesional të regjistrimit të popullsisë vitin tjetër, raporton Ekonomia Online.
Ilir Berisha, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tha se Java e Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë mbahet nga data deri më 11 nëntor.
Sipas tij, në këtë javë synojnë që me personat kryesorë në vend të nivelit qendror, lokal, regjional e ndërkombëtar për të diskutuar rëndësinë e procesit të Regjistrimit, metodologjinë e qasjet implementuese, modelet dhe praktikat më të mira shtetërore.
Kryeministri Albin Kurti tha regjistrimi i popullsisë mundëson orientimin e politikave më të mira për qytetarë.
Të dhënat, u shpreh kryeministri, na ndihmojnë të sigurojmë nivel më të lartë të transparencës dhe të llogaridhënies dhe se ato po ashtu janë pikë referuese për një planifikim afatgjatë dhe parashikime të zhvillimeve të rëndësishme socio-ekonomike.
Më tej, shtoi ai, të dhënat flasin për një rritje ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi me 10.7 % të bruto produktit vendor, ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti, kemi rritje mbi 4 për qind të bruto produktit vendor.
“Për të planifikuar dhe zbatuar politika të bazuara në evidencë dhe për zhvillim ekonomik dhe social, është e domosdoshme të kemi të dhëna të besueshme dhe të detajuara. Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave përbën një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale në vendin tonë. Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e niveli i edukimit, janë bilanci empirik i së tashmes dhe baza e politikave për të ardhmen. Ato u mundësojnë të gjithë shfrytëzuesve të të dhënave, e veçanërisht vendimmarrësve në nivelin lokal e qendror, por edhe donatorëve e investuesve të tjerë – orientimin dhe targetimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët”.
“Të dhënat na ndihmojnë të sigurojmë nivel më të lartë të transparencës dhe të llogaridhënies. Ato po ashtu janë pikë referuese për një planifikim afatgjatë dhe parashikime të zhvillimeve të rëndësishme socio-ekonomike.Të dhënat flasin për një rritje ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi me 10.7 për qind të bruto produktit vendor ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti, kemi rritje mbi 4 për qind të bruto produktit vendor pasi që të zbritet inflacioni. Rritjen ekonomike po e shpërndajmë te qytetarët, nëpërmjet masave e politikave të informuara nga të dhënat. Kështu, bazuar në indekset e çmimeve, për përballje me rritjen e çmimeve, pasojat e pandemisë e krizën energjetike, kemi ofruar mbi 750 milionë euro mbështetje për qytetarët dhe për bizneset. Ndërkaq sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës pritet të votohet Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg”.
“Në saje të të dhënave, mundësohet dizajnimi i masave që u përgjigjen nevojave të qytetarëve, si dhe mbylljen e hendeqeve ekzistuese. Përmes integrimit gjinor në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, kemi dizajnuar masa specifike për ta mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e qasjes së grave në shkollim e në punësim. Kemi mbështetur punësimin e grave, masë kjo, nga e cila kanë përfituar 3,500 gra dhe 1,490 biznese. Kemi mbështetur biznese, që janë në pronësi të grave, me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milion euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar tejkalon 3 milionë euro. Ndërsa që nga fillimi i skemës së mbështetjes për nënat e reja, deri më tani kemi rreth 200 mijë përfituese nga Shtesat për Fëmijë dhe mbi 23 mijë përfituese nga Shtesat për Lehona. Të dhënat aktuale për 1 vit e gjysmë që lamë pas, flasin për rikthim të sistemit të financave publike në binarë, duke ulur borxhin publik kundrejt bruto produktit vendor për 27%, respektivisht nga 28.7% sa ka qenë në vitin 2020, në 21% në vitin 2021. Këto të dhëna dëshmojnë përgjegjshmëri të lartë për paranë e përbashkët publike”.
“Në mbledhjen e 103-të të Qeverisë kemi miratuar projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro. Janë të dhënat që do të udhëzojnë ekzekutimin e këtij buxheti, bashkë me angazhimin tonë për t’i avancuar të gjitha aspektet që ndikojnë në jetën e qytetarëve në Republikën e Kosovës. Qeveria e Kosovës në muajin shtator 2022 ka propozuar që regjistrimi i ardhshëm në terren të zhvillohet nga 1 shtatori deri më 16 tetor 2023. Ky plan kohor ofron mundësinë që secili qytetar i Kosovës të regjistrohet. Ne do të mbështesim Agjencinë e Statistikave të Kosovës që është njëherit bartës i projektit të regjistrimit, me qëllim që regjistrimi të jetë cilësor, profesional, dhe gjithëpërfshirës”.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, tha se regjistrimi është burim për hartimin e planeve hapësinore, duke shtuar se të dhënat statistikore janë të dhënat kyçe.
“Jemi angazhuar maksimalisht për ndërlidhjen e informacionit zyrtar të Republikës tonë. Instituti për Planifikim Hapësinor të Kosovës në kuadër të ministrisë ndihmon në planifikimin e territorit dhe në bashkëpunim të ngushtë me sektor të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, harton një sërë të tërë të raporteve sektoriale të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvilli ngushtë me sektor të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, harton një sërë të tërë të raporteve sektoriale të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimit hapësinor sektorial. Në këtë rast ASK është burimi kryesor i të dhënave për Institutin e procesit të hartimit të planeve hapësinore, dokumenteve strategjike në sektorin e planifikimit si dhe dokumenteve strategjike të zonës gjeografike të vendit për nivelin qendror”.
Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, tha se për ta është kënaqësi që të mbështesin institucionet në mbledhje kë këtyre statistikave kaq të rëndësishme.
“Popullata e Kosovës nuk është e përfshirë në raportin zhvillimor vjetor që zhvillohet apo kryhet nga Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara. E shohim këtë si mundësi të jashtëzakonshme për të pasur të dhëna gjithëpërfshirëse dhe të mirëfillta për të ndihmuar njerëzit e Kosovës. Siç ju e dini, ne punojmë bashkërisht me Qeverinë e Kosovës në 17 objektiva zhvillimore të qëndrueshme”.
“Pra, do të jetë diçka shumë transformuese për punën që e bëjmë ose për planifikimin e arritjeve që Kosova po bën në matjen ndërkombëtare të progresit drejt objektivave të qëndrueshme”.
Johannes Stenbaek Madsen, udhëheqës i Njësisë së Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së, tha se regjistrimi i popullsisë ofron baza për vendimmarrje dhe qeverisje të mirëfilltë, raporton EO.
“BE i jep rëndësi të jashtëzakonshme regjistrimin të popullatës. Janë mjete të domosdoshme për zhvillimin e një shoqërie demokratike. Regjistrimi i popullsisë ofron baza për vendimmarrje dhe qeverisje të mirëfilltë. Duke kryet këtë regjistrim do të jetë projekt madhor për çdo vend”.
“Kërkon një përfshirje të palëve siç është Qeveria, komunat, OJQ. Kosova ka pasur përvojën e kryerjes së dy regjistrimeve që fatkeqësisht nuk kanë mundur të kryhen në tërë territorin e Kosovës. Ky regjistrim duhet të kryhet derë më derë. Uroj institucioneve fatin më të mirë në kryerjen e regjistrimit të popullatës 2020-2023”.
Projekti nacional i Regjistrimit të popullsisë realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, me mbështetjen e institucioneve qendrore e lokale, partnerëve ndërkombëtar, dhe organeve përkatëse të përcaktuara me Ligjin e Regjistrimit të popullsisë.