Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në Strasburg të Francës ka zhvilluar takime me deputetë të Parlamentit Evropian.
Këto takime të Kurtit po i ndjek edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Në llogarinë e tij në Twitter ai ka publikuar një fotografi të Kurtit nga atje, ndërsa ka shkruar se mbështetje e plotë për propozimin e BE-së po jepet edhe nga Parlamenti Evropian.
Tutje në postimin e Rohde, ai thotë se marrëveshja për zbatimin e planit nga dyja palët, si ajo kosovare dhe serbe, në Ohër është e rëndësishme në rrugën drejt BE-së.
“Gjithashtu mbështetje e plotë për propozimin e BE-së nga Parlamenti Evropian. Marrëveshja për zbatimin e aneksit nga Kosova dhe Serbia më 18 mars në Ohër është thelbësore për të ecur përpara në rrugën evropiane”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Se Kosova duhet të shfrytëzojë mundësinë në takimin e 18 marsit, e tha sot ambasadori amerikan, Jeff Hovenier në një takim me gazetarët.
Sipas tij, të gjitha vendet që kanë qëndruar pranë Kosovës drejt rrugëtimit të saj si shtet, janë të pajtimit se kjo marrëveshje do t’i sjellë benefite Kosovës dhe rajonit.
“Të gjitha këto vende që e kanë mbështetur Kosovën, besojnë se kjo është një gjë shumë e mirë dhe kanë bërë përpjekje të mëdha që të arrihet një sukses në negociata”. Pra nuk ka dyshim rreth asaj se si ShBA-ja e sheh këtë mundësi. Diplomacia jonë ka qenë që ta inkurajomë palën kosovare që ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe që Kosova t’i shfrytëzojë të mirat që sjellë kjo marrëveshje”, tha Hovenier.