Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Qeverinë aktuale, mijëra njerëz po përpiqen fort t’i përballojnë koston e lartë të jetesës.
Me anë të një postimi në Facebook, Abdixhiku ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotshme ka takuar qytetarë të cilët janë ankuar për koston e jetës, shkruan lajmi.net.
“Këtë mëngjes, në Prishtinë, në njërin nga tregjet e pemëve, perimeve e produkteve bazike, takova qytetarë që na thonë të njëjtën gjë: kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se në dy vitet e kaluara norma mesatare e inflacionit në Kosovë, ka arritur në mbi 20 %, kurse tani sipas Abdixhikut, çmimet e produkteve bazike janë mbi 50% në rritje.
Abdixhiku ka akuzuar Qeverinë aktuale se nuk ka marrë asnjë veprim deri më tani.
Kreu i LDK-së ka thënë se TVSH-ja duhet të hiqet për produktet bazike, në mënyrë që të lehtësohet jeta e qytetarëve.
Postimi i plotë:
Këtë mëngjes, në Prishtinë, në njërin nga tregjet e pemëve, perimeve e produkteve bazike, takova qytetarë që na thonë të njëjtën gjë: kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme.
Me këtë pushtet, mijëra njerëz po përpiqen fort t’i bëjnë ballë rritjes së paprecedentë të çmimeve. Përgjatë dy viteve të shkuara, norma mesatare e inflacionit në Kosovë ka arritur në mbi 20%, përderisa çmimet e produkteve bazike janë rritur për mbi 50%. Kaq shumë ndryshim në kaq pak kohë, nuk ka patur asnjëherë. Pavarësisht kësaj rritjeje, Qeveria nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe jetën e dinjitetshme që familjet kosovare e meritojnë.
Propozimet e LDK-së janë refuzuar deri më tani jo sepse nuk ishin adekuate, por sepse ishin të LDK-së.
Nuk mund të vazhdojmë kështu. Duhet të heqim TVSH-në në produktet bazike, të ulim çdo barrë tatimore tani, dhe t’i rrisim pagat në përputhje me inflacionin. Ky është plani i LDK-së, një plan në anën e familjeve dhe njerëzve punëtorë.