Aleanca për Ardhmërin e Kosovës ka thënë se nuk do të jetë pjesë e takimit të thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.
Në përgjigjen e AAK-së, ata kanë propozuar 4 pika për të kthyer situatën në normalitet në gjithë vendin.
Përgjigja e plotë AAK-së:
Përgjigje për takimin e thirrur nga Presidentja për zgjedhjet në veri
AAK ka dalë më një propozim prej 4 pikash, për të rikthyer situatën në normalitet, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën, e të cilat janë:
1. Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale.
2. Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në insitucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.
3. Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.
4. Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë-Serbi.
Për këtë qëllim e kemi thirrur në interpelancë edhe kryeministrin e vendit.
Dhe derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, ne nuk do të jemi pjesë e nismave, që veç sa e komplikojnë edhe më tej situatën në vend.