Raportuesja për Kosovën nga Parlamenti Evropian, Viola Von Crammon, ka ripërsëritur se “nuk është koha e duhur” për aplikim të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Kjo, pasi që, një gjë e tillë do të bllokohej nga pesë shtetet mos-njohëse të sovranitetit të Kosovës, që janë pjesë e BE-së.
Ajo këto deklarata i ka bërë pas miratimit të rezolutës së saj për Kosovën në Parlamentin Evropian, në një konferencë për media, raporton lajmi.net.
“Po ashtu, përkrahim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por kemi bërë dallim të qartë kur kemi thënë për aplikim në BE, shkaku i shteteve të mos-njohëse. Këtë e kam thënë edhe në Kosovë”, ka deklaruar ndër të tjera raportuesja e PE-së.
Von Cramon ka thënë se pa arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të mundësohet anëtarësimi në BE.
“Në raport theksohet nevoja e normalizimit të marrëdhënieve për Serbinë, që bazohet me njohjen reciproke. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ka qenë fort progresiv dhe marrëveshjet e arritura në të kaluarën po vendosen në dyshim. Po ashtu, përsërisim ftesën që gratë të përfshihen në ekipin negociator në dialog”, ka thënë në konferencë ajo.
Liderët e institucioneve kosovare, përkundër thirrjeve nga BE-ja, kanë bërë të ditur se do të aplikojnë për anëtarësim në unionin evropian përgjatë këtij viti.
Përfaqësuesja e PE-së ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, duke thënë se po bëjnë çmos ta zhbllokojnë situatën. Von Cramon ka përmendur një momentum që mund t’ia ndryshojë qëndrimin Parisit zyrtar për lëvizje lirshëm të kosovarëve.