Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO) kanë publikuar raportin “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”, në të cilën paraqitet një analizë të listave të kandidatëve dhe programeve politike për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025.
Prezantimi i këtij raporti u bë nga hulumtuesit Gzim Shala (IKD), Burbuqe Kastrati (FOL) dhe Arbër Kadriu (INPO), të cilët shpalosën gjetjet kryesore të analizës.
Raporti adreson çështjet kryesore që lidhen me kandidatët e certifikuar për zgjedhje që kanë probleme me ligjin, si dhe një vlerësim cilësor të programeve politike të subjekteve të certifikuara, me fokus në sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë dhe të drejtat e njeriut.
Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh me 14 kandidatë (12.72% e listës), ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka përfshirë tetë kandidatë (7.27%), dhe LDK një kandidat.
Nga 23 kandidatët për deputetë me probleme ligjore, 16 prej tyre përballen me aktakuza aktive, ndërsa tetë kanë dënime të formës së prerë.
Në total, ndaj këtyre kandidatëve janë ngritur 20 aktakuza për 21 vepra penale, që përfshijnë veprat penale të korrupsion si “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ashtu edhe vepra të tjera penale, si përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (nëntë raste), mbajtja e paautorizuar e armëve (pesë raste), pengimi apo sulmi ndaj personave zyrtarë dhe vepra të tjera të natyrës kriminale.
Më tutje, sipas IKD-së, FOL dhe INPO-s, raporti thekson se plan-programet e partive politike për drejtësinë në zgjedhjet e 2025-ës dallojnë ndjeshëm si në qasje ashtu edhe në nivelin e seriozitetit të tyre.
“Lëvizja Vetëvendosje e trajton drejtësinë vetëm në një faqe të programit të saj dhe nuk i referohet fare Strategjisë për Sundimin e Ligjit. Ajo propozon krijimin e një Gjykate për çështje familjare, një Prokurori të Specializuar dhe një Zyre për Hetime Disiplinore, por pa ndonjë analizë të thelluar mbi nevojën dhe funksionalitetin e tyre. Mungesa e planit të detajuar dhe dublifikimi i mekanizmave ekzistues e bën këtë program të konsiderohet joserioz”, thuhet në njoftim.
Më tej, në raport thuhet se Lidhja Demokratike e Kosovës e trajton drejtësinë më gjerësisht, duke përfshirë vetingun, integritetin e sistemit të drejtësisë, rikthimin e pavarësisë së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe digjitalizimin e shërbimeve.
“Megjithatë, programi i saj nuk mbështetet në analiza të detajuara dhe nuk i referohet Strategjisë për Sundimin e Ligjit. Gjithashtu, disa propozime, si fuqizimi i kritereve për provimin e jurisprudencës dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve, mbeten të paqarta dhe pa argumentim të mjaftueshëm”.
“Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka përfshirë 14 pika në kapitullin e saj për drejtësinë, duke theksuar strategjitë kundër korrupsionit dhe reformën e sistemit gjyqësor. As ky program nuk e përmendin fare Strategjinë për Sundimin e Ligjit. Programi në fjalë propozon krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimeve, por ky institucion paraqet një dublim të kompetencave të Prokurorisë Speciale dhe mund të krijojë mbikëqyrje të tepërt mbi sistemin gjyqësor. Programi gjithashtu parashikon miratimin e një Strategjie Kombëtare për Krimet e Luftës dhe krijimin e një Gjykate të Punës, por pa argumentim të qartë për nevojën e një institucioni të tillë”, thuhet në komunikatë.
Kurse, koalicioni AAK-Nisma e vendos sundimin e ligjit si prioritet kryesor, por nuk ofron propozime konkrete për zbatimin e tij. Programi i Koalicionit për Familjen përmban 15 pika mbi drejtësinë, por pa elaborime mbi implementimin e tyre, ndërsa disa parti të tjera, si Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Partia Fjala, trajtojnë sundimin e ligjit në mënyrë shumë të përgjithshme dhe pa masa konkrete.
Po ashtu, në këtë raport trajtohen edhe çështje tjera nga programet elektorale të partive kryesore për zgjedhjet e 2025-ës.
Raporti thekson se këto programe adresojnë edhe çështje si transparenca, qeverisja e mirë, administrata publike, barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut, por shumica prej tyre nuk ofrojnë detaje të qarta mbi mekanizmat e zbatimit dhe burimet financiare të reformave të propozuara.
PDK dhe LDK e theksojnë transparencën dhe digjitalizimin, por nuk japin sqarime mbi mënyrën e realizimit të këtyre reformave. AAK premton zhvillim ekonomik dhe rritje pagash në administratën publike, por pa plan të qartë për mbështetje buxhetore.
Koalicioni për Familjen dhe partitë më të vogla, si Partia Liberale Egjiptiane dhe PDAK-LPB, përmendin temat e sundimit të ligjit dhe barazisë, por programet e tyre mbeten të përgjithshme dhe pa strategji të mire përcaktuara për implementim.
Raporti thekson se Lëvizja Vetëvendosje fokusohet kryesisht në projekte infrastrukturore, duke mos përfshirë në program tema kyçe si administrata publike, transparenca dhe llogaridhënia. Reformimi i sistemit të administratës, që ka qenë një nga çështjet më të debatuara gjatë mandatit të kaluar, nuk trajtohet në programin e saj elektoral, ndërsa moszbatimi i Aktgjykimit për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, nuk përmendet askund.
Sipas këtij raporti, në përgjithësi, shumica e programeve elektorale nuk japin masa konkrete për të siguruar administratë publike të depolitizuar dhe efikase.
Barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut përmenden në mënyrë të përgjithshme, por pa masa të qarta për adresimin e tyre në praktikë. Po ashtu, ndërsa disa programe flasin për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve të pavarura, mungojnë detaje mbi mekanizmat konkretë për të siguruar llogaridhënien dhe qeverisjen e pastër.
“Në raport thuhet se pjesa më e madhe e premtimeve elektorale mbeten të përgjithshme dhe pa një strategji të mirë përcaktuar për implementim efektiv”.