Kryediplomati i Turqisë, Mevlut Cavusoglu e mbylli të dielën në Kosovë vizitën e tij në Ballkan. Në Prishtinë, ai nënshkroi një marrëveshje me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun dhe paralajmëroi disa investime në vend. Por ai pati edhe vërejtje dhe përmendi një gjë si “problemin më të madh” në raportet mes Kosovës dhe Turqisë, shkruan Gazeta Express.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla doli në konferencë për media me homologun e saj turk pas takimit që e patën në MPJD paraditen e së dielës dhe njoftoi për nënshkrimin e një marrëveshjeje për rritjen e frekuencës së fluturimeve mes dy vendeve.
Ministri Liburn Aliu më vonë dha detaje për marrëveshjen që tha se do ta rrisë numrin e fluturimeve nga Kosova në Turqi dhe anasjelltas. Po ashtu, kjo marrëveshje sipas Aliut do t’i ulë edhe çmimet e udhëtimeve për pasagjerët kosovarë.
“Sapo nënshkruam marrëveshje të bashkëpunimit me ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Turqisë, z. Mevlüt Çavusoglu. Përmes kësaj marrëveshje tanimë kemi rritur numrin e fluturimeve nga njëzet e tetë (28) fluturime në javë, në dyzet e dy (42) sosh ✈️, e që do të rezultojë edhe me uljen e çmimeve të udhëtimeve të pasagjerëve tanë. Kjo marrëveshje i kontribuon zhvillimit të mëtejshëm të transportit ajror në përgjithësi, përkitazi zhvillimit të vëllimit të trafikut ajror në mes të dy Republikave”, shkroi Aliu.
Paralajmërime për investime
Cavusoglu në konferencën me Gërvallën tha se do t’i inkurajojë biznesmenët turq që të investojnë në Kosovë. Ai paralajmëroi investime në Kosovë në fushën e energjetikës, nga të cilat tha se vendi në të ardhmen e afërt do të jetë në gjendje të eksportojë rrymë.
“Në fushën e energjetikës, kompanitë tona janë të gatshme të investojnë dhe nuk duan garanci të blerjes. Financimin do ta bëjmë vetë dhe për një vit do ta kryejmë. Besoj që në investime të tilla kanë interesim firma të fuqishme në mënyrë që të prodhojnë elektricitet dhe Kosova të eksportojë rrymë në një të ardhme të afërt”, tha ministri turk.
Kryediplomati i Turqisë tha se “duhet të zhvillohet edhe eksporti i Kosovës në Turqi dhe ne duhet të punojmë përt këtë”. Ai paralajmëroi krijimin e një komisioni të përbashkët ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë.
“Dhe duhet t’i mbledhim edhe forumet biznesore dhe t’i takojmë biznesmenët tanë për këtë”, tha ministri i Jashtëm turk. Po ashtu, ai tha se “duhet të rriten edhe investimet e Kosovës në Turqi”.
Gërvalla i kërkon Turqisë ta ndalë Serbinë, Cavusoglu: S’do ta lejojmë kthimin e ditëve të ’90-ave
Kosova e sheh Turqinë si ndërmjetësuese neutrale mes Serbisë dhe vendeve tjera në rajon. Duke e thënë këtë, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha Kosova shpreson që Turqia të kontribuojë që t’ia pamundësojë Serbisë destabilizimin e Ballkanit.
“Rusinë, por edhe Serbinë i shohim jo vetëm si faktorë agresivë, por edhe destabilizues për rajonin tonë dhe shpresojmë që përpjekjet për ndërmjetësim të Bashkimit Europian, të NATO-s, por edhe të Turqisë, do të kontribuojnë që Serbisë dhe separatistëve serbë në Bosnjë e Hercegovinë t’iu pamundësohet që në hijen e agresionit rus në Ukrainë dhe me ndihmën e Rusisë ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore”, tha ajo.
Cavusoglu, lidhur me këtë, tha se Turqia nuk do ta lejojë kthimin në ditët e errëta të viteve ’90-ta.
“Gjatë vizitës që e realizova në 5 vendet ballkanike, të cilën e fillova në Beograd, edhe aty dhash mesazhet e ngjashme. Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë jemi duke e mbështetur dhe mendojmë se duhet të arrihet një marrëveshje përmes rrugëve diplomatike dhe zhvillimet në Bosnjë dhe reflektimet negative të luftës në Ukrainë në rajon, janë gjëra nga të cilat duhet të nxjerren leksione dhe ne si Turqi nuk duam të kthehemi në ditët e errëta të viteve ’90 dhe nuk do ta lejojmë këtë. Për këtë jemi duke punuar në vazhdimësi”, tha ai.
Vërejtjet e Turqisë për Kosovën
Pas fjalëve të mira, kryediplomati turk, Mevlut Cavusoglu në konferencën me homologen e tij në Kosovë, Donika Gërvalla deshi ta theksonte “patjetër” një gjë, që ai e quajti si “pengesa më të madhe mes raporteve tona”.
“Natyrisht ekzistenca e Feto-s në Kosovë është pengesa më e madhe mes raporteve tona. Sepse ekzistenca e Feto-s është duke bërë punë për t’i helmuar raportet tona dhe pas tentim-puçit në Turqi, ekzistenca e Feto-s në Kosovë neve dhe popullin turk e shqetëson shumë, këtë dua ta theksoj patjetër këtu”, tha ai.
Fethullah Gulen, sipas tij, po përpiqet të bëjë keq në Kosovë, “ashtu si në Turqi”.
“Strategjinë e ngjashme të cilën e ka zbatuar në vendin tonë, është duke e zbatuar në Kosovë. Këtë ne jemi duke e vrojtuar. Në njërën anë, këqyrin t’i helmojnë të rinjtë dhe investojnë në media, dhe në anën tjetër shohin të inflirtohen në institucione shtetërore. Ashtu siç kanë bërë në Turqi dhe vende tjera, po tentojnë ta bëjnë të njëjtën këtu”, tha Cavusoglu.
Ministri i Jashtëm i Turqisë tha se këto janë të rrezikshme për Kosovën.
“Për neve te vendi vëlla dhe mik në Kosovë është shqetësuese t’i shohim këto. Janë të rrezikshëm për të ardhmen”, tha ai.
Cavusoglu po ashtu e pa të nevojshme ta porosis Kosovën që t’i injorojë ata që nuk e thonë të njëjtën gjë si Turqia.
“Mos i merrni parasysh disa fjalë nga vendet tjera”, tha ai.
Cavusoglu u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani, e cila i kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovën në Këshillin e Europës.
Po ashtu, kryediplomati turk u prit edhe nga shefi i Qeverisë, Albin Kurti. Zyra e Kryeministrit tha se në takim morën mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe organizatat tjera ndërkombëtare.