Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku së bashku me anëtarë të kësaj partie kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova në 19 vjetorin e vdekjes së tij.
“Atit themeltar të Republikës së Kosovës njeriu që më urtësi, kokëfortësi me mburrje e priu popullin e Kosovës në një periudhë të vështirë krijoi aleanca ndërkombëtare dhe arriti që çështjen e Kosovës dhe kauzën e popullit të Kosovës ta bëjë çështje ndërkombëtare drejt lirisë, demokracisë, pavarësisë. Në këtë 19 vjetor kujtojmë që rrugëtimi për liri dhe pavarësi e demokraci të një Kosove të pavarur dhe sovrane të anëtarësuar në NATO, BE e miqësi të përhershme me SHBA është domosdoshmëri e kohës e Kosovës. Ibrahim Rugova është shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, ai priu me dinjiteti, arriti të krijoj shtetin e Kosovës, arriti të krijoj një ëndërr pas të cilës rreshtohemi të gjithë pa asnjë dallim”, tha ai.
Pas homazheve te varri i ish-presidentit, Rugova kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vizituar edhe familjen Rugova, derisa sot do të promovohet edhe libri “Rugova prijësi intelektual”, nga Fondacioni Rugova i përgatitur nga Ndue Ukaj.
Në 19 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova homazhe te varri i tij ka bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Homazhe kanë bërë edhe Lista Guxo.
Ish-presidenti, Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut./KP/