“Sfidat” e TikTok-ut po vazhdojnë ta sfidojnë mirëqenien e fëmijëve në Kosovë. Bëhet fjalë për “Sfidën e Supermenit” – një trend i ri në TikTok që raportohet se ka nxitur vetëlëndime te të rinjtë në disa komuna të Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që Kosova përballet me një dukuri të tillë. Muaj më parë, disa shkolla ngritën alarm duke raportuar për raste të vetëlëndimit të nxënësve si pasojë e disa lojërave në TikTok.
Por, vetëlëndimi i fëmijëve nuk ishte i vetmi fenomen i rrezikshëm që buroi nga “sfidat” e kësaj platforme. Në prill të vitit që lamë pas, një shtetas i Kosovës u arrestua si i dyshuar për abuzim seksual me një të mitur – e ngjarja kishte ndodhur pikërisht gjatë një sfide në TikTok.
Psikologia Violeta Zefi, njëherësh edhe profesoreshë e Psikologjisë në UBT, thotë se këto raste që kanë ndodhur përbëjnë një shqetësim jashtëzakonisht të madh.
“Mendoj se fatkeqësisht nuk është adresuar ashtu si duhet, pra nuk janë marrë masat e nevojshme që me u pa se çfarë efektesh psikologjike ose çfarë pasoja emocionale mund të ketë përfshirja në një sfidë të tillë, dhe këto kritikat kryesisht i adresohen institucioneve të cilat e kanë për detyrë të merren me këtë gjë, duke filluar nga Ministria e Arsimit, edhe shkollat gjithashtu”, thotë Zefi për Telegrafin.
Tutje, psikologia Zefi ka theksuar se është e rëndësishme që këtyre fëmijëve t’ju ofrohet ndihmë profesionale fillimisht nga psikologët e shkollave, teksa ka u ka bërë thirrje edhe prindërve të jenë më të vëmendshëm në këtë aspekt.
Përdorimi i tepruar i TikTok-ut prek funksionet njohëse, thotë psikologia.
Por, vetëlëndimi i fëmijëve nuk është e vetmja pasojë që mund të vijë si rezultat i përdorimit të tepruar dhe të pamonitoruar të TikTok-ut. Duke iu referuar të dhënave aktuale, Zefi thotë se koha që fëmijët e kalojnë në TikTok është shumë e madhe dhe kjo ndikon në disa aspekte, sikurse përqendrimi.
“Fillimisht, ajo çka është shumë shqetësuese, është që përdorimi i tepruar i TikTok-ut i prek funksionet njohëse, sidomos, duhet theksuar që përqendrimi është një prej aspekteve që dëmtohet më së shumti”, ka thënë Zefi.
Tutje, psikologia ka përmendur edhe pasoja të tjera që mund të vijnë si shkak i përdorimit të TikTok-ut nga fëmijët, sikurse bullizimi kibernetik dhe performancë më e ulët në shkollë.