Gjykata Kushtetuese, ka vendosur se vendimi i 15 dhjetorit të vitit 2023 i Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial, Agron Bekës, nuk është në kundërshtim me kompetencat e kuvendit.
Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se aktgjykimi sqaron që Beka ishte shkarkuar nga kuvendi bazuar në rekomandimin e Komisionit për Legjilascion, në të cilin ishin listuar arsyet për ushtrimin e funksionit të tij “… në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij”.
“Në rrethana të tilla, në të cilat, Kuvendi ka ushtruar rolin e tij ndërlidhur me anëtarët jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial, dhe ka shkarkuar një anëtarë jo-prokuror bazuar në procedurën dhe bazat e shkarkimit sipas përcaktimeve të Ligjit për Këshillin Prokurorial, përfshirë mbi bazën e një arsyetimi që nuk rezulton të jetë dukshëm arbitrar, Aktgjykimi konstaton se Kuvendi përmes Vendimit të kontestuar, nuk ka tejkaluar autorizimet kushtetuese dhe ligjore në kontekst të paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafit 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses, transmeton Klankosova.tv.
Shkarkimin e Agron Bekës nga Kuvendi i Kosovës e pati dërguar për vlerësim të kushtetueshmërisë në Gjykatën Kushtetuese deputetë të grupit parlamentar të PDK-së.