Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se për Kosovën ishte dëshira e fortë për demokraci që siguroi rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ajo, në paraqitjen e saj virtualisht në Samitin e Dytë të Demokracisë në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se demokracia do të hapë rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme brenda institucioneve euroatlantike.
“Në vetë thelbin e saj, demokracia ka të bëjë me të drejtën për ta zgjedhur drejtimin, të ardhmen dhe fatin tuaj. Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet. Samiti i këtij viti për Demokraci ka qenë sigurisht viti ynë i veprimit! Me forcë dhe entuziazëm të plotë kemi punuar për t`i zbatuar zotimet, të cilat i kemi përcaktuar vitin e kaluar. Por, “viti i veprimit”, ka qenë gjithashtu një vit i sfidave të konsiderueshme globale, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të cilat po ndodhin në mbarë botën përderisa ne jemi mbledhur sot. Kosova e di shumë mirë se si ndihet një popull i pafajshëm i cili në lëkurën e vet përjeton një lufte brutale dhe gjenocidale, dhe pikërisht sepse e dimë këtë, pa asnjë mëdyshje vendosëm menjëherë sanksione kundër Rusisë dhe e kemi mbështetur pa ndalur popullin e Ukrainës”, ka thënë Osmani.
Osmani do të marrë pjesë virtualisht në Samitin e Dytë për Demokraci në Shtëpinë e Bardhë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do ta përfaqësojë vendin në Samitin e Dytë për Demokraci, të organizuar sot virtualisht nga Shtëpia e Bardhë.
Në një seancë plenare, e cila do të zhvillohet në orën 15:00, Presidentja Osmani do të jetë folëse krahas liderëve botërorë: presidenti të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson, kryeministres së Islandës, Katrin Jakobsdottir, presidenti të Kolumbisë, Gustavo Petro, si dhe krerëve të shtetesh e qeverive nga Zambia dhe Bahamas.
Samiti për Demokraci do të hapet nga Biden në orën 12:00 dhe do të bashkojë vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.
“Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë “Vitit të Veprimit”, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit”, thuhet në komunikatën e Presidencës.