Boksieres kosovare Donjeta Sadiku i është mohuar përsëri pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të Boksit në Nju Delhi, pasi India ia kushtëzoi dhënien e vizës me heqjen dorë nga simbolet shtetërore të Kosovës gjatë paraqitjes në garë.
Sadiku, fituese e medaljes së bronztë në Botëror dhe Evropian, përfundimisht nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që nis sot në New Delhi të Indisë, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës.
India nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe kjo nuk është hera e parë që ky vend ia ndalon pjesëmarrjen Sadikut në një botëror.
Ministria e Jashtme e Indisë kishte pranuar të jepte viza për ekipin kosovar të boksit fillimisht, para se t’i vinte kushte Sadikut të paraqitej në ring dhe jashtë tij pa asnjë simbol shtetëror të Kosovës.
“Organizatori i Kampionatit bëri me dije se pjesëmarrja e boksieres tonë mund të bëhet vetëm me dy kushtet e vëna: Flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror, si dhe pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të bartin flamurin e tyre, qoftë edhe në veshjet e tyre në formë të printuar”, njoftoi KOK.
Duke parë këto kushte dhe diskriminimin e bërë nga shteti i Indisë, FBOXK në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, vendosi të mos udhëtojë fare drejt Indisë.
Kjo është hera e tretë që Sadikut i mohohet pjesëmarrja në Kampionatet Botërore në Indi dhe rrjedhimisht mundësia për të fituar një tjetër medalje botërore.
Botërori është gara më e rëndësishme e Federatës Ndërkombëtare të Boksit, e cila ka lejuar diskriminimin ndaj kosovarëve duke mos bërë asgjë që boksierët të lejohen të marrin pjesë në kushte të barabarta me të tjerët, dhe duke e lejuar Indinë ta organizojë botërorin sërish pavarësisht historisë së saj diskriminuese ndaj Sadikut.