Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për mashtrim të qytetarëve sa i përket procesit të privatizimit.
Në një status në Facebook Hoti ka shkruar se privatizimi është duke vazhduar valë-valë, përkundër deklarimeve të zyrtarëve të partisë në pushtet se privatizimet do të vlerësohen.
“Mos harroni: më 15 mars është afati për dorëzimin e ofertave për ‘Valën 62’ të privatizimit.‼️ Mashtrimet po dalin në shesh çdo ditë. Për dhjetë vite shanin e akuzonin secilin për privatizim, me e pa të drejtë. I mashtronin qytetarët se do të vlerësojnë privatizimet dhe do të themelojnë Fondin Sovran me asete të Agjencisë së Privatizimit. Sapo erdhën në pushtet, privatizimi po vazhdon valë-valë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai ka shkruar edhe tri, siç ka thënë, fakte që dëshmojnë mashtrimet.
Si fakt të parë ka cituar Programin zgjedhor të LVV-së ku thuhet se ”Agjencinë Kosovare të Privatizimit do të shuhet dhe asetet e saj do i kalojnë në pronësi Fondit Sovran”.
Si fakt të dytë ka përmendur fjalimin e kryeministrit Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës më 17 maj të vitit 05.2021, në prezantimin e Programit Qeverisës 2021-2025, kur ai ka thënë se “Agjencinë Kosovare për Privatizim do ta shuajmë dhe do ta transferojmë në agjenci brenda Qeverisë, e do të krijojmë Agjencinë Zhvillimore për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura”.
Ndërsa si fakt të tretë ka cituar edhe një pjesë të Programi të Qeverisës 2021-2025 ku thuhet se “Do të angazhohemi për krijimin e Fondit Sovran. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit. Po ashtu, Fondi Sovran do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Si pasojë e kësaj, do të shuajmë Agjencinë Kosovare për Privatizim me anë të transferimit të saj në agjenci brenda Qeverisë”.