Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se standardet që do të vendosen për komunitetin serb në Kosovë, duhet të jenë standarde për të gjitha pakicat në Ballkanin Perëndimor.
“Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shikojmë krijimin e standardeve të veçanta, që do të vlejnë për një pakicë ‘hyjnore’ në veri të Kosovës”, thotë Kamberi duke iu referuar pakicës serbe.
Fundjavën e kaluar, Kamberi dhe disa përfaqësues të boshnjakëve që jetojnë në Serbi, takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kërkesë e tyre e përbashkët ishte që pakicat në Serbi të gëzojnë të drejta të njëjta sikurse pakica serbe në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga kabineti i Kurtit, ata u shprehën të pakënaqur me pozitën e shqiptarëve dhe të boshnjakëve në Serbi, sidomos në komunat: Novi Pazar, Tutin, Sjenicë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Komunitetet e ndryshme duhet të trajtohen pa dallim në kuadër të parimeve universale dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve.
Palët kanë para vetes një plan evropian për këtë qëllim. Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por versioni në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, ka përfshirë, mes tjerash, një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Cilat janë kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Serbi?
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kamberi, i cili është deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë se kërkesa themelore e shqiptarëve është që të kenë trajtim të barabartë në shtetin ku jetojnë.
Si çështje problematike, ai përmend “pjesëmarrjen joadekuate” të shqiptarëve në punën e institucioneve shtetërore dhe arsimimin.
“Pesëmbëdhjetë breza të të rinjve shqiptarë përballen me mosnjohjen e diplomave [nga Kosova] dhe ata po ikin prej këtu”, thotë Kamberi.
REL-i pyeti Ministrinë e Arsimit të Serbisë se sa diploma të marra në Kosovë janë njohur dhe a njihen ato vetëm për vazhdim të shkollimit apo edhe për punësim, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Kamberi thotë se janë duke kërkuar edhe ato të drejta që Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës ua garantojnë minoriteteve me standardet e tyre.
Pakica shqiptare në Serbi jeton kryesisht në komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Deputeti i Kuvendit të Serbisë, Enis Imamoviq, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik nëSanxhak, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha të drejtat që u garantohen apo u jepen serbëve në Kosovë apo serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, duhet t’u jepen edhe boshnjakëve, shqiptarëve dhe pakicave të tjera në Serbi.
“Të jepen të drejta që garantohen me Kushtetutë, t’u jepet mundësi pakicave kombëtare që të integrohen në vendin ku jetojnë… Ne nuk e ndiejmë këtë kur bëhet fjalë për boshnjakët”, thotë Imamoviq, i cili ishte i pranishëm në takimin me Kurtin, më 4 shkurt.
Partia e tij i ka dy deputetë në Kuvendin e Serbisë dhe e ka mbështetur propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Në komunat e Novi Pazarit, Tutinit dhe Sjenicës, në jugperëndim të Serbisë, shumica e popullsisë është boshnjake.
I pyetur nëse komuniteti i tij kërkon një organizim si Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë – i cili nuk është formuar ende, por ka një marrëveshje për të – Imamoviq thotë se është kundër dhënies së parimit etnik për komunat.
Imamoviq shton se boshnjakët këmbëngulin, po ashtu, në detyrimin e Serbisë për t’i zbardhur të gjitha krimet që kanë ndodhur kundër boshnjakëve të Sanxhakut, nga vitet ‘90 deri në vitin 2000.
Më 1993, në Shtërpce janë vrarë 20 persona – kryesisht boshnjakë – që kanë qenë duke udhëtuar me tren nga Beogradi për në Tivar.
Më 1992, ndërkaq, janë vrarë 17 boshnjakë nga Sjeverini, në kufirin midis Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Duke e komentuar takimin në Prishtinë, Imamoviq thotë se ai po bisedon me të gjithë ata që “kanë dëshmuar se janë miq të popullit boshnjak”.
“Nuk shoh asnjë arsye që udhëheqësit shtetërorë të shqetësohen. Për ta, çdo kërkesë për të drejtat e boshnjakëve është një formë destabilizimi”, thotë Iamoviq./REL