Kryediplomati evropian, Josep Borrell është deklaruar mbrëmë rreth marrëveshjes së arritur në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq.
Sipas Borrell, palët e lartcekura kanë rënë dakord për masat që duhet të ndërmarrin për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, bazuar në prezantimin që ju është bërë palëve në shtator të këtij viti nga BE-ja, propozim ky i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, shkruan lajmi.net.
Borrell ka treguar edhe pikat në të cilat janë pajtuar palët në takim.
“Kjo do të thotë se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe se Kosova do të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm lidhur me riregjistrimin e automjeteve”, ka deklaruar Borrell.
Në marrëveshjen që është shpërndarë në Twitter edhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thuhet se palët janë pajtuar që të implementojnë të gjitha marrëveshjet paraprake mes tyre.
“BE-ja do të sigurojë që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit. Palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut duhet të zbatohen”, thuhet në marrëveshjen e publikuar, që si duket nënkupton edhe zbatimin e marrëveshjes të nënshkruar në vitin 2015 për formimin e komunave me shumicë serbe.
Borrell ka deklaruar se në ditët në vijim do t’i njoftojë palët që të diskutojnë hapat e ardhshëm në kuadër të propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai ka thënë se në rast të ndonjë pengese nga secila palë, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian mund të përfundojë procesin.
“Unë dhe përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të vazhdojmë të lehtësojmë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të përditësojmë rregullisht shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët tanë për progresin e arritur nga palët”, ka përfunduar Borrell.
Kujtojmë se marrëveshja për targat është mirëpritur nga zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë, ndërsa është kritikuar nga partitë opozitare.