Dymbëdhjetë qershori i 1999-së, aparatin shtetëror, policor, ushtarak e paramilitar serb do ta gjente të dorëzuar në Kosovë përballë Aleancës Veri-Atlantike, që shënon fillimin e hyrjes së forcave të NATO-s në vendin tonë.
Marrëveshja e Kumanovës shënon fundin e luftës së Kosovës, ku Serbia detyrohet që të tërheqë të gjitha forcat ushtarake dhe administratën, pra largimi praktik.
Pak orë para se NATO-ja të fillonte hyrjen e forcave të veta në Kosovë, rusët, jashtë çdo parashikimi dërgojnë nga Bosnja e Hercegovina një kontingjent të ushtrisë së tyre në Kosovë, përcjell Telegrafi.
11 qershori shënon 23-vjetorin e një dite të trishtë për Kosovën në prag të çlirimit të saj, por si simbolikë jep edhe të ardhmen e vendit në raport me Federatën e Rusisë, e cila, për fat të keq, nuk dallon nga politika destruktive moskovite edhe para datës në fjalë.
20 maj 1999
Në luftimet me forcat okupatore serbe në Koshare, Ushtria Çlirimtare e Kosovës deklaroi se kishte vrarë edhe një mercenar rus, i cili po luftonte përkrah serbëve. Ai ishte oficer i ushtrisë ruse. Agjencitë e huaja të lajmeve publikuan dokumente dhe konferencën për shtyp të UÇK-së, e cila argumentoi pjesëmarrjen e rusëve në luftën gjenocidale ndaj popullit të Kosovës.
9 qershor 1999
Federata e Rusisë vuri veto, për herë të parë që nga rënia e Murit të Berlinit, për rezolutën që u propozua në raport me Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjë që riktheu (që nga viti 1990) në një pikë të marrëdhënieve të acaruara Rusinë dhe vendet perëndimore. Të nesërmen, më 10 qershor, u bë adoptimi i Rezolutës 1244, e cila autorizon misionin civil dhe atë ushtarak të jenë të pranishëm në Kosovë.
11 qershor 1999
Një kolonë e blinduar e forcave ruse apo rreth 200 ushtarë futet në Kosovë, duke ndaluar fillimisht në Prishtinë. Shumica shqiptare, këtë natë do të përjetonte si natën më të trishtë të gjithë kohës së luftës së ashpër në Kosovë. Serbët do t’i mirëpresin me pije alkoolike dhe lule, si shenjë e moszbatimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e arritur një ditë më parë. Ish-ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov do të deklaronte për CNN, se hyrja e ushtarëve rusë në Kosovë, është një gabim për të ardhur keq, dhe se ata janë porositur që ta lëshojnë menjëherë Kosovën. Në fakt, një gjë e tillë nuk ndodhi, gjë që dha sinjalin e parë në shembullin e Kosovës se rusët nuk e mbajnë fjalën. Karvani i forcave ruse, paraprakisht ishte shëtitur në rrugët e Beogradit, përcjell Telegrafi.
12 qershor 1999
Rusët, pas asnjë marrëveshje, në mënyrë tinëzare ishin vendosur në Aeroportin e Prishtinës. Një konfrontim i armatosur u shmang, pas një një marrëveshje paqësore në mes të NATO-së dhe rusëve, me kushtin se Aeroporti do të ishte nën mbikëqyrje të përbashkët deri më 15 tetor 1999. Kohë kur rusët duhej të largoheshin nga aty.
23 gusht 1999
Në hyrje të Rahovecit, qytetarët shqiptarë u barrikaduan për t’i parandaluar trupat ushtarake ruse që të hynin në qytet. Akuzuan rusët se kundërshtuan bombardimet e NATO-së ndaj aparatit gjenocidal shtetëror serb, madje ishin bashkëpjesëmarrës në krimet që ata bënë në civilët shqiptarë.
6 shtator 1999
Në fshatin Korminjan, i banueshëm me shumicë serbe, afër Gjilanit, tre serbë u vranë nga forcat ruse që u përfshin ndërkohë në kontingjentin e KFOR-it.
23 maj 2000
Forcat ruse të KFOR-it ndaluan një makinë ku gjendeshin kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe njëri nga udhëheqësit Ahmet Isufin, të dy komandantë zonash operative të UÇK-së. Pas një mosmarrëveshjeje, u shënua përplasje fizike mes tyre, e nxitur nga rusët për motive etnike.
17 qershor 2001
Presidenti i ri i Rusisë, Vladimir Putin, viziton kontingjentin rus të KFOR-it në Aeroportin e Prishtinës.
4 shtator 2001
Në një lokal nate, në periferi të Prishtinës, pas një konflikti të armatosur, u plagosën dy pjesëtarë të forcave ruse të KFOR-it. Konflikti pasoi pas përpjekjes së rusëve për ta kidnapuar një punëtore të këtij lokali. Pas disa deklarimeve kontraverse të kontingjentit rus të KFOR-it, në fund u tha se vetëm një nga rusët ishte plagosur. Ndërkohë, u kuptua se njëri nga të plagosurit ishte pjesëtari i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU, Aleksey Kondratyev. I njëjti, në fund të vitit 2019 ishte kandidatuar për t’u zgjedhur si raportues për Kosovën në kuadër të Këshillit të Evropës, përcjell Telegrafi.
2 korrik 2003
Kontingjenti i trupave ushtarake ruse të KFOR-it merr fund. Rusët, pas 4 vitesh, tërhiqen nga Kosova. Tërheqja u bë pas urdhrit të Vladimir Putinit. Pjesëtarët rusë në Kosovë shënuan shumë incidente, që nga dhunimet seksuale që iu bënë femrave serbe në enklava, përpjekje për kidnapim në lokale nate e deri te përleshjet e vrasjet. Qëndrimi i tyre në Kosovë u përcoll me protesta në të gjitha lokalitetet që ata ishin të pranishëm në Kosovë.
14 maj 2007
Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, viziton Moskën në një përpjekje për ta bindur Rusinë të mos vërë veton ndaj Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Në anën tjetër, Rusia përveç që kërcënoi në përdorimin e vetos ndaj asaj rezolute, ajo prezantoi edhe një kundër draft rezolutë në Këshillin e Sigurimit, e cila ofronte një model të autonomisë së “monitoruar ose mbikëqyrur” për Kosovën dhe bëri thirrje për bisedime të mëtutjeshme të cilat përfshinin Serbinë, si kërkesë për një marrëveshje të mundshme.
25 shkurt 2008
Pak ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, zëvendëskryeministri i Federatës së Rusisë, Dmitri Medvedev u prit në Beograd nga kryeministri i Serbisë, Vojislav Koshtunica. Përveç deklarimeve të të dy palëve, kundër shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, u nënshkrua një marrëveshje e rëndësishme për për gazsjellësin rus dhe privatizimin e Industrisë së Naftës së Serbisë nga rusët. Studiues në Serbi, thonë se në fakt rusët kushtëzuan Beogradin për refuzimin e njohjes së Kosovës me privatizimin e NIS-it, kundrejt një shume simbolike. Që nga kjo kohë, rusët vazhdimisht kanë mbajtur qëndrim më të ashpër karshi Republikës së Kosovës.
15 prill 2008
Konstantin Kosachev, përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Evropës kishte inicuar kundër Kosovës një mocion për rezolutë të Asamblesë Parlamnetare të Këshillit të Evropës me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i njerëzve organet në Kosovë“. Kjo rezolutë i kishte paraprirë Raportit të Dick Martit dhe themelimit të Gjykatës Speciale, gjë që ishte munduar të shfrytëzohej nga Rusia dhe Serbia me qëllim te dëmtimit te imazhit të luftës së UÇK-së, shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës, me akuza të fabrikuara nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse. Kosachev ishte pjesë edhe e një nisme tjetër, e cila u bë në Këshillin e Evropës, e cila po synonte ta miratonte rezolutën, në të cilën do të dënoheshin “vrasjet e KFOR-it ndaj serbëve në Kosovë”, e cila nuk kaloi.
8 tetor 2008
Rusia iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me një kërkesë për mendim këshillues nëse shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
16 prill 2009
Federata Ruse paraqiti një deklaratë prej dyzet faqesh në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke përshkruar argumente dhe konkluduar se “shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës, nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”. Këtë rusët e bënë në mbështetje të Serbisë, e cila e dërgoi rastin në këtë Gjykatë për të marrë mendimin për pavarësinë e Kosovës. Më vonë, Gjykata tha se “shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, përcjell Telegrafi.
12 dhjetor 2011
Nën përcjelljen e ambasadorit rus, Aleksander Konuzin, një kolonë prej 27 kamionëve me rreth 284 tonë “ndihma humanitare” ishte nisur për serbët e veriut, të organizuar në struktura ilegale e kriminale të Kosovës, të cilët kishin ngritur barrikada në rrugë, për të penguar lëvizjet e autoriteteve të Republikës së Kosovës dhe forcave të KFOR-it. Ndërkohë, u vërtetua se “ndihmat humanitare”, ishin pajisje ndihmëse për barrikadat, si tenda, pajisje për fushim dhe gjeneratorë elektrikë.
27 prill 2014
Në Qendrën Humanitare Ruso-Serbe në Nish, e njohur nga shtetet perëndimore si qendër spiunazhi, strukturat ilegale e kriminale serbe të “Mbrojtjes Civile”, të cilat u shuan me një nga marrëveshjet në mes të Kosovës e Serbisë dhe ndërmjetësimin e BE-së, pranuan dhuratë nga Rusia 10 automjete terreni, Lada Niva. Një ditë më pas, në Beograd ishte për vizitë ish-gjenerali i shërbimit sekret rus-KGB, Leonid Reshetnikov, i cili ndërkohë do të u bë drejtor i Institutit Rus për Studime Strategjike (RISS).