Ministrja shqiptare e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar Kosovën në 23-vjetorin e Ditës së Çlirimit.
Xhaçka me anë të një shkrimi në rrjete sociale ka thënë se është mirënjohëse të gjithë atyre që luftuar dhe sakrifikuan për këtë ditë.
“Urime Kosovë 🇽🇰 për ditën e lirisë! Një ditë e shënuar në historinë e gjithë popullit shqiptar. Mirënjohje përjetë për të gjithë ata që luftuan e sakrifikuan kaq shumë për këtë ditë, UÇK-së dhe udhëheqësve të saj për luftën heroike, dëshmorëve dhe veteranëve të kësaj lufte, që u përballën me forcat barbare të [Sllobodan] Milosheviqit”, ka shkruar Xhaçka.
Po ashtu, ajo ka thënë se është mirënjohëse ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, NATO-s dhe SHBA-së.
“Mirënjohje Presidentit [Ibrahim] Rugova, vizionarit të lirisë së Kosovës. Mirënjohje të thellë NATO-s dhe SHBA-ve. Kosova ka bërë shumë rrugë që nga ajo ditë dhe ka ende shumë rrugë për të bërë. Por një gjë është e sigurt: njësoj si gjatë luftës, njësoj si pas luftës, edhe sot edhe përgjithnjë Shqipëria e shqiptarët do të vazhdojnë të punojnë e mbështesin Kosovën në çdo kohë e në çdo sfidë”, ka përfunduar ajo.