Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar sukses të radhës të Qeverisë inaugurimin e Sistemit Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor, që u bë sot në Mitrovicë.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se Sistemi Nacional do të mundësojë identifikimin e burimeve të interferencave, e që është konform obligimeve ndërkombëtare që i ka vendi ynë.
“Kosova sot është vendi më i mbuluar brezgjerë dhe po bën përgatitjet për shtrirjen e rrjeteve mobile 5G. Ky projekt ka qëllim mbrojtjen nacionale. Kosova i kushton rëndësi të veçantë sigurisë kibernetike dhe javën e kaluar miratuam themelimin e Komisionit të sigurisë kibernetike që do të ndikojë në rritjen e sigurisë në këtë fushë”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se sistemi që po inaugurohet sot është një hap që ka ndikim direkt në sigurinë kibernetike.
“Do t’i mbështesim ARKEP-in, KPM-në dhe të gjithë akterët që ky sistem të përdoret në mënyrë sa më efikase”, ka shtuar kryeministri.
Ndërkaq, ministrja e Ekonimisë Artane Rizvanolli ka thënë se Kosova ishte vendi i vetëm që nuk e kishte këtë sistem. Ajo ka thënë se Ministria që ajo drejton është e interesuar që sistemi frekuencor i Kosovës të mos jetë i ndikuar nga jashtë.
“Kjo pikë që po e inaugurojmë sot në Shipol është një nga katër pikat në vendin tonë që do të mundësojë edhe përshpejtimin e inovacionit teknologjik”, ka thënë Rizvanolli.
E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se sot vendi ynë përballet me një mori rreziqesh e sfidash në sektorin e sigurisë, prandaj sipas tij kujdesi për rendin dhe sigurinë publike mbetet një nga prioritetet e Qeverisë.
“Ministria e Brendshme do të vazhdojë të udhëhiqet nga parimi i kushtutueshmërisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe ai parim është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe do të mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë. Në një ambient të sigurt në secilën sferë do të ketë mirëfunksionim të të gjitha institucioneve pa asnjë dallim në tërë territorin e Republikës”, ka thënë Sveçla.
Ai tutje ka thënë se gjatë këtij viti janë realizuar një sërë aktivitetesh për sigurinë me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimeve për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Në këtë kuadër domeni i radiodifuzionit, kontrollit të shfrytëzimit të eterit tonë, që është një ndër atributet e sovranitetit, luan rol të rëndësishëm në mirëfunksionim të agjencive të ligjzbatimit, emergjencave dhe gjithë të tjerave që i përkasin Ministrisë së Punëve të Brendshme. E mirëpresim funksionalizimin e këtij sistemi, që do të ngrejë nivelin e kontrollit të shfrytëzimit të frekuencave në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar tutje Sveçla.
Ai ka thënë se prezenca e shtuar në terren ka treguar se duke ngritur nivelin e kontrollit evidentohet çdo fasilitet radiodifuziv.