Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se Kosova dhe Serbia nuk kanë alternativë tjetër përveç se të arrijnë marrëveshjen finale për normalizim marrëdhëniesh.
Në intervistë për Bloomberg, kryeministri kosovar madje u shpreh ndër të tjera se tashmë koha është që një gjë ë tillë të ndodhë gjatë mandatit të tij.
Gazeta shkruan se mosmarrëveshjet lindën gjatë viteve 1998-1999 gjatë luftës në Kosovë si dhe pas shpalljes së pavarësisë – dhe një dekadë më pas po shfaqen pengesat që këto dy vende nga Ballkani Perëndimor të integrohen nga Bashkimin Evropian – duke nxitur tensione dhe rritur rrezikun që ato të kthehen në një konflikt tjetër.
Bloomberg më tej shkruan se kryeministri Kurti që fitoi mbi 50 për qind të vota në zgjedhjet e fundit në Kosovë, është i gatshëm për marrëveshje dhe që të dy vendet të afrohen më shumë drejt ëndrrës së tyre – anëtarësimit në BE – që sipas Kurtit mund të ndodhë sapo dyshja të normalizojnë marrëdhëniet.
“Duhet të kemi një marrëveshje dhe mendoj se është koha që kjo të ndodhë gjatë mandatit të qeverisë tonë”, tha Kurti gjatë një interviste dhënë nga zyra e tij në Prishtinë.
“Po e shoh një mundësi. Këtë vjeshtë do të mësojmë nëse do të shkojmë atje. Kjo vjeshtë është vendimtare për të parë nëse duhet të jemi optimistë”, shtoi Kurti.
Gazeta rikujton se komentet e Kurtit lënë të kuptojnë për potencialin e një momenti të ri, pas shumë vitesh bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE-ja që nuk prodhuan përparim në një nga enigmat më të vështira gjeopolitike të Evropës.
Pikat kryesore të pengesave janë refuzimi i Serbisë për ta njohur sovranitetin e fqinjit të saj, dhe kërkesa e tyre që Kosova t’i japë autonomi afërsisht 100 mijë serbëve që jetojnë në Kosovë.
Ndërsa Kurti nuk zbuloi detaje se çfarë mund të përfshijë marrëveshja përfundimtare, të dyja palët gjithashtu duhet të punojnë në çështje të ndryshme – duke filluar nga marrëdhëniet dypalëshe me qëllim që të trajtohen ankesat e së kaluarës që kanë të bëjnë me viktimat e luftës, personat e zhvendosur dhe dëmet e luftës.
Kurti theksoi se ka parë potencial për një marrëveshje nën “plejadën” e administratës së udhëhequr nga presidenti amerikan Joe Biden, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Megjithatë, pranoi se akoma e brengosë fakti që Vuçiq ende nuk e ka distancuar veten mjaftueshëm nga e kaluara e tij, kur shërbeu si Ministër i Informimit gjatë viteve të 90-ta në kohën e Sllobodan Millosheviqit.
Vuçiq ka refuzuar gjithashtu ndërprerjen e lidhjeve të tij të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, një aleat në përpjekjet e Beogradit për të parandaluar njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Pavarësisht presionit intensiv nga vendet perëndimore, administrata e Vuçiqit ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.
“Kjo është vërtetë shqetësuese”, tha Kurti.
Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës u ndezën muajin e kaluar pasi Kurti shtyu një kërkesë që serbët që jetojnë në Kosovë të kenë dokumente të lëshuara nga Prishtina dhe jo karta identiteti dhe targa makinash të lëshuara nga Beogradi. Me serbët vendas që bllokuan rrugët në protesta dhe pas presionit nga ndërmjetësit ndërkombëtarë, Prishtina e shtyu vendimin e saj me një muaj deri më 1 shtator.
Kurti tha se nuk do të shtyjë më, duke shtuar se pret që 1 shtatori “të jetë një ditë e qetë dhe e zakonshme”.
“Nëse situata përshkallëzohet në dhunë, policia dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it prej 3,800 trupash të NATO-s do t’i japin fund”, tha ai.
Kosova gjithashtu është përballur me ndërprerjet e energjisë elektrike që nga mesi i gushtit. Ato pritet të përfundojnë javën e ardhshme, por mund të kthehen sapo të mbyllet dimri.
Vendi ndonjëherë varet nga energjia elektrike e importuar gjithnjë e më e shtrenjtë, duke paraqitur vështirësi për buxhetin për një nga popullsitë më të varfra të Evropës. “Kjo mund të kërkojë ndihmë financiare nga BE dhe SHBA nëse çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten”, tha Kurti. “Ne mund të përballemi me ndërprerje të energjisë,” tha ai.
Përkthyer nga Bloomberg. Titulli në origjinal: “Ka ardhur koha” për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, thotë kryeministri i Kosovës