Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, thotë se nuk ikin nga mundësia për ta formuar vet Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Rakiq ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, thotë se serbët s’do të pajtohen në vonesa të pafundme për formimin e Asociacionit, transmeton Gazeta Express.
“Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është obligim ndërkombëtar i Prishtinës, për të cilin u angazhuan përfaqësuesit e Prishtinës dhe jo vetëm ata, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Ajo që po dëgjohet tani nga disa përfaqësues ndërkombëtarë është një përpjekje për të pakësuar rëndësinë e Asociacionit, pavarësisht marrëveshjes që tashmë është arritur. Populli serb nuk do të pajtohet me këtë, ashtu siç nuk do të pajtohet me një vonesë të pafund. Në këtë kuptim, ne nuk i shmangemi mundësisë për ta formuar vetë Asociacionin, duke respektuar marrëveshjen ndërkombëtare që parashikonte ekzistencën e tij”, tha Rakiq.
Ai ka lavdëruar presidentin e Serbisë Vuçiq se në takimin e Brukselit më 18 gusht do të “luftojë si luan” për popullin serb.
Rakiq ka thënë për shefin e tij të qeverisë Albin Kurti se është kundër dialogut me deklaratat që bën.
“Ne jemi të vetëdijshëm për këtë, dhe besoj se janë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, por nga ana tjetër, deklaratat janë më pak të rëndësishme nëse marrim parasysh se vendimet që ai dhe bashkëpunëtorët e tij marrin janë të drejtuara drejtpërdrejt kundër paqes në këto fusha. “, tha Rakiq.