Janë anuluar të gjitha fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, drejt Gjenevës, Bazelit e Cyrihut në Zvicër.
Në ekranet e njoftimeve shkruan se fluturimet janë shtyrë, por në fakt tash për tash, bazuar në njoftimin e autoriteteve zvicerane, ato janë anuluar.
E kjo, jo vetëm për fluturimet nga Kosova, por për të gjitha fluturimet nga Zvicra dhe drejt Zvicrës.
Hapësira ajrore e Zvicrës është mbyllur në tërësi, për shkak të dështimit të sistemit.
Kështu, aktualisht asnjë aeroplan nuk mund të ulet dhe të ngrihet në aeroportet e Zvicrës.
Autoritetet deklaruan edhe nëpërmjet postimeve në llogaritë e rrjeteve sociale se arsyeja është një dështim i sistemit në Skyguide.
“Tani presim që operacionet e fluturimit të rifillojnë në mesditë me kapacitet të reduktuar. Regjistrimi në aeroportin e Cyrihut vazhdon”, deklaruan nga Aeroporti i Cyrihut në një postim në Twitter, këtë mëngjes.
Aeroportet në Zvicër mbesin të mbyllura ashtu si edhe tërë hapësira ajrore, deri në një njoftim të dytë.
Sipas kontrollit zviceran të trafikut ajror, hapësira ajrore zvicerane u mbyll për arsye sigurie, shkaku i një defekti kompjuterik me sistemin e kontrollit të trafikut.
“Hapësira ajrore zvicerane është e mbyllur për trafikun ajror për arsye sigurie pas dështimit të kompjuterit me Skyguide, shërbimin zviceran të kontrollit të trafikut ajror”, thanë zyrtarët e Autoritetit Civil të Aviacionit zviceran.
Agjencia zvicerane e lajmeve “ATS-Keystone” tha se fluturimet ndërkombëtare për në Zvicër po ridrejtoheshin drejt Milanos.