Partia Demokratike ka thirrur sot shqiptarët në protestë kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Ramës. Prej ditësh lideri i opozitës Sali Berisha dhe deputetë e anëtarë të PD-së kanë bërë thirrje për të dalë në shesh kundër kësaj qeverisjeje.
Protesta do të zhvillohet para Kryeministrisë dhe PD ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës nga ora 19:00 deri në 21:00.
Ndërsa në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet prej orës 16:00.
Por përveç masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e rendit dhe nga PD për ecurinë e protestës, edhe Kryeministria ka marrë masat, duke blinduar dyert e godinës, sikurse në tubimet e mëparshme të opozitës.
Një ditë më parë lideri i opozitës, Sali Berisha, tha se protesta do të jetë epike për nga pjesëmarrja dhe qëllimet e saj, ndërsa shtoi se Edi Rama nuk meriton të qeverisë as edhe një ditë më shumë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar më herët se do të marrë pjesë më 7 korrik në inagurimin e By Pass-it të Vlorës.
Pritet që protestës t’i bashkohen demokratë dhe qytetarë edhe nga qarqet e tjera të Shqipërisë. /A2 CNN/