Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, do të njoftoj për zhvillimet e fundit në UP në një konferencë për medie.
Sipas njoftimi konferenca do të mbahet në ora 14:00 në Senatin e UP-së.
19 organizata të shoqërisë civile gjatë ditës së djeshme kanë dalë me një komunikatë të përbashkët për, siç thanë, kundërshtimin e inicimit për të shkarkuar rektorin e Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, duke thënë se kjo po bëhet me akuza të pabaza.
“Ditëve të fundit ka pasur ndërhyrje nga zyrtarë të institucioneve shëndetësore, të afërt me partinë në pushtet, të cilët kanë ushtruar presion për ndryshimin e rregulloreve të Universitetit të Prishtinës, ashtu që ato t’u përshtaten atyre me qëllim të punësimit apo avancimit në pozita më të larta akademike”, thuhet në deklaratë.
Raportohet se planifikimi i shkarkimit të rektorit po bëhet për shkak se atë pushteti aktual e konsideron të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës.
Për më tepër, këto organizata thonë se kjo nuk është hera e parë që partia në pushtet përdor metodën e ndërrimit të rregullativës me qëllim të punësimeve dhe avancimeve të njerëzve të saj të afërt në institucione të arsimit.