Pas zhvillimeve të djeshme në Bruksel, ku palët nuk arritën të gjejnë një marrëveshje, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë afatin e gjobitjes për targat ilegale për 48 orë, gjë të cilën kryeministri i Kosovës e ka pranuar.
Ndërkaq sot, ambasadori e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christofer Hill, do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Sipas njoftimit nga zyra e presidentit serb, takimi pritet të fillojë në ora 10:30, në Pallatin e Serbisë.
Para takimit me ambasadorin amerikan, Vuçiq do të ketë takime edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani dhe Ministrin e Mbrojtjes Guido Crosetto.
Më pas ministrat italianë pritet të udhëtojnë në Kosovë ku do të priten nga zyrtarë të lartë shtetëror.
Po sot, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka kërkuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova që të ruajnë paqen dhe stabilitetin.
Vuçiq u takua me përfaqësuesit serbë mëngjesin e 22 nëntorit, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shtyu zbatimin e fazës së dytë të vendimit për targat ilegale serbe për 48 orë.
“Jam i sigurt se si komb do të tregojmë pjekuri dhe se do të ruajmë vatrat tona”, ka thënë Vuçiq në një video të publikuar në profilin e tij në Instagram.