Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg, do të takohen të mërkurën.
Po ashtu është njoftuar se pas takimit Kurti dhe Stoltenberg do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media në selinë e NATO-së, shkruan lajmi.net.
Duhet shtuar se ky takim mes kryeministrit Kurti dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të zhvillohet pak javë pas tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës.
I pari i qeverisë, për tensionet është deklaruar se përkeqësimi i grindjeve me serbët mund të rezultojë në një konflikt të ri.
“Kosova është e përgatitur të qëndrojë kundër një sulmi të mundshëm nga Serbia pasi përkeqësimi i grindjeve me minoritetin serb mund të rezultojë në një konflikt të ri të armatosur”, ka thënë Kurti në një intervistë për Reuters.
Përveç Kurtit, rreth këtyre tensioneve kishte reaguar edhe vetë Stoltenberg, i cili kishte kërkuar që problemet të zgjidhen përmes dialogut dhe po ashtu kishte deklaruar se NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.
“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zgjidhin dallimet përmes diplomacisë. NATO-KFOR qëndron i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti”, kishte deklaruar Stoltenberg.
Ndërkaq sa i përket takimit mes tij dhe Kurtit, ende nuk është bërë e ditur se çfarë do të diskutohet.