Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas pretendimeve të deputetit Haki Abazi në lidhje me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Haxhiu tha se i kanë deklaratat në institucionet e Kosovës për ngjarjen në fjalë.
Haxhiu ka thënë se Abazi duhet ta njoftojë e të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale e jo të tentojë të fshihet prapa imunitetit të tij si deputet.
“Nuk e di për çka e ka fjalën deputeti. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta njoftojë Prokurorinë Speciale, të bashkëpunojë me ta dhe jo të tentojë të fshihet prapa imunitetit të tij prej deputeti. Kemi dhënë deklaratat dhe dëshmitë tona bashkë me zëvendësin tim për institucionet e drejtësisë për të gjitha informacionet që i kemi. Informacionet që i kam pasur janë pranë Prokurorisë. Çdo herë jam e gatshme të dalë para drejtësisë, sa herë e kërkojnë institucionet”, ka thënë ajo ndër të tjera.
Haki Abazi në një konferencë për media tha se ekzistojnë video incizime që dëshmojnë zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Ai ka akuzuar rëndë partinë e tij në pushtet, duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari.
Deputeti i VV-së thotë se edhe kryeministri Albin Kurti e Ministrja Haxhiu duhet të merren në pyetje nga Prokuroria për rastin.
Pas pretendimeve të tij, Prokuroria Speciale ka njoftuar se do ta ftojë për intervistim fillimisht Abazin.
Në njoftimin e prokurorisë, dërguar mediave thuhet se prokuroria ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit Abazi dhe i njëjti do të ftohet për intervistim.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dhënë sot për media, dhe se i njëjti së shpejti do të ftohet për intervistim”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë Speciale.