Prokuroria e Elbasanit ka rihapur hetimet për zhdukjen e këngëtarit të tallavës, Renato Hamzai, i njohur ndryshe si Reni.
Abc ka raportuar në datë 3 nëntor për rizhvarrosjen e eshtrave të gjetura vite më parë në fshatin Babje të Librazhdit, të një personi, të cilat dyshohet se i përkasin këngëtarit të tallavasë.
Kufoma u gjet vite më parë në një fshat të Librazhdit, ndërsa nga mbetjet kockore janë marrë kampione ADN-je, pasi ka dyshime të forta që ky trup mund t’i përkasë pikërisht Renato Hamzës, zhdukja e të cilit vijon të mbetet një enigmë edhe sot.
Me rihapjen e hetimeve, prokuroria e Elbasanit ka mundur të sigurojë indicie të reja, çka ka shtyrë që të marrë edhe vendimin për zhvarrosjen e trupit të gjetur dhe ende të paidentifikuar.
Ka qenë Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, i cili pas vlerësimit të situatës vendosi zhvarrosjen e trupit të gjetur në fshatin Babje të Librazhdit.
Burime pranë grupit hetimor bënë me dije për Abc se ekspertët janë shprehur se eshtrat e gjetura në vitin 2014-të në fshatin Babje të Librazhdit kanë ngjashmëri kockore me skeletin e Renato Hamzës, por kjo mbetet për tu vlerësuar pas 45 ditësh pas daljes së ADN-së.
ABC mëson se ka dyshime të forta se këngëtari i muzikës tallava Renato Hamza, mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal që operon në zonën e Shqipërisë së Mesme, pasi për të riun kanë pasur dyshime se mund të ketë qenë dëshmitarë i një ngjarje kriminale që ky grup kishte kryer.
Ndërkohë pyetjet që lindin natyrshëm janë se përse kryeprokurori Olsian Çela nuk pranoi të bëhej zhvarrimi pas kërkesës së familjarëve, të cilët që në momentin e parë ku kishte indicie se në atë varrezë ndodhej trupi i djalit të tyre?
Përse kryeprokurori Olsian Çela vendosi për mbylljen e hetimeve për zhdukjen e këngëtarit të tallavasë?
Përse kryeprokurori nuk pranoi që të bëhej testi i ADN-së së familjarëve me eshtrat e gjetura në atë kohë në fshatin Babje të Librazhdit?
Të gjitha këto pyetje mbeten enigmë, dhe i vetmi që mund ta zbardhë është kryeprokurori Olsian Çela, i cili duhet të përgjigjet për publikun por edhe për familjarët e këngëtarit. /abcnews.al