Misioni i Vëzhguesve të OSBE-ODIHR në Shqipëri ka publikuar këtë të hënë raportin paraprak për zgjedhjet vendore që u zhvilluan ditën e diel. Shefja e Misionit Audrey Glover gjatë konferencës për shtyp teksa e ka konsideruar ditën e zgjedhjeve të qetë, shtoi se ka pasur ndërhyrje partiake.
“Ju falënderoj shumë me të vërtet për pjesëmarrjen tuaj këtu sot. Do të prezantojmë konkluzionet paraprake, unë jam këtu sëbashku me përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, më lejoni të filloj. Zgjedhjet vendore të 14 Majit në përgjithësi u administruan mjaft mirë, ishin konkurruese dhe në to morën pjesë forcat kryesore politike. Por, procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore politike dhe një ndarje e thellë brenda opozitës. Kandidatët bënë fushatë lirisht, por rastet e keqpërdorimit të burimeve publike, pretendimet për presion te zgjedhësit si dhe pretendimet për blerje votash ishin shqetësuese”.
“KQZ bëri punë transparente dhe efikase, por pati zëvendësime të shpeshta të komisionerëve. Përdorimi i shpeshtë nga mediat i filmimeve të partive në programet e lajmeve, cenoi ndarjen e kohës gjithëpërfshirëse dhe objektive të transmetimit të fushatës. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore, por pati ndërhyrje partiake, probleme teknike, votim në grup dhe probleme me fshehtësinë e votës. Numërimi i votave u vlerësua pozitivisht. Së pari dua të them disa fjalë për misionin tonë. Janë zgjedhjet e 16-ta që ODIHR vëzhgon, me 14 ekspertë nga 12 shtete, që nga krijimi ne kemi pasur sektorin tonë të monitorimit të medias, partive, ambasadave dhe OJQ-ve. Një javë pas mbërritjes na u bashkuan 24 vëzhgues afatgjatë, pak para zgjedhjeve na u bashkuan dhe disa vëzhgues afatshkurtër”, u shpreh Glover.