Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim këshillues partitë politike për zgjedhjet e parakohshme edhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit, njoftoi presidenca përmes një komunikate për shtyp, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke pasur parasysh afatet ligjore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, si dhe detyrimet ligjore për konsultime me partitë politike, ka mbajtur takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviçit”, shkruhet në njoftimin e Presidencës.
Mes tjerash, Vjosa Osmani pritet që edhe të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit brenda afatit ligjor kohor.
KQZ, siç u tha në njoftim, është e gatshme për organizimin e zgjedhjeve në komunat veriore dhe se institucionet do të ndërmarrin masat adekuate në mënyrë që qytetarët pa dallim etnie ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese të votimit.
Ditë më parë, Partia e Serbëve të Kosovës, që udhëhiqet nga Aleksandar Jabllanoviç, konfirmoi për Zërin e Amerikës se do të kandidojnë në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit, dhe se kandidat do të jetë ky i fundit.
Ndonse Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të shpallura nga autoritetet qendrore të Kosovës, Jabllanoviç ka thënë se sipas informacione që posedon partia e tij, Lista Serbe do të merr pjesë.
Lista Serbe dorëhoqi nga pozitat e kryetarëve të komunave katër kryetarët nga rangjet e saj, pas shkarkimit të ish-Drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Nenad Gjuriç.
Me dorëheqjen e katër kryetarëve të këtyre komunave, Presidentja Vjosa Osmani shpalli 18 dhjetorit si datë të zgjedhjeve të parakohshme në këto komuna.