Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë kurrë më mirë, e se nuk ka vend për brengosje, raporton Ekonomia Online.
Duke raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, Zhvillim e Dialog, ai u shpreh se Kosova është e gatshme për një marrëveshje finale por se Serbia nuk e ka vullnetin e njëjtë.
“Sa më shumë monitorim edhe Qeveria do të ketë përformancë më të mirë. Unë kam pasur takime me Parlamentin Evropian dhe nuk kam marrë kritika nga BE-ja. Nuk ka arsye për brenga sa i përket dialogut dhe nuk ka qenë kurrë më mirë”.
“Ka angazhim nga Kosova të punojë drejt një marrëveshje finale por ka mungesë totale nga ana e Serbisë. Marrëveshja për energjinë nuk ka qenë e mirë. Ne do të fokusohemi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Takimi që është paramendua javën tjetër, të fillohet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Ka vonesa nga ana Elektroserverit për sigurimin e data bazës. Ne bazohemi ne vlerësimet që u japim proceseve”.
Tutje, Bislimi tha se në fund të vitit Kosova do të aplikojë edhe për statusin e kandidatit.“Në fund të vitit do të aplikojmë për statusin e kandidatit. Procesi i dialogut është i rëndësishëm dhe kemi ftuar liderë politikë që të diskutojmë si duhet e të ecim përpara. Lideri i LDK-së ka ardhur dhe ka thënë ecni tutje nëse e zbatoni platformën e LDK për dialog”.
Ndërsa, ai u shpreh optimist për çështjen e vizave, dhe tha se shumë shpejt mund të dalin me lajme të mira.
“Është punuar bukur shumë të dëmtohet ky proces nga jashtë dhe brenda dhe me inskenime të ikjeve masive me foto false të vitit 2015 që ky proces të dëmtohet. Me viza jemi bukur mirë, kriteret janë përmbushur që në vitin 2018. Jam optimist që shpejt mund të dalim me lajme të mira, por ato duhet t’i nxjerrim kur i kemi në tavolinë sepse kemi përvoja të këqija me paralajmërime”.
“Ne kemi punuar shumë dhe po punojmë edhe me presidencën çeke që kjo të futet në agjendë, s’ka pasur kurrë më shumë deklarime që është momenti vendimtar për liberalizimin e vizave. Sa më shumë ta debatojmë këtë temë ne vetëm e dëmtojmë procesin”.