Ish ministri i shëndetësisë, deputeti Armend Zemaj e ka cilësuar qeverinë Kurti si të paaftë pasi që, sipas tij, për më pak se 4 javë kemi 30000 raste me Covid 19.
Zemaj në Facebook, po ashtu ka shkruar se në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, vazhdon mungesa e barnave në listën esenciale e cila tashmë është bërë e zakonshme dhe e tmerrshme për pacientët.
“Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, përkundër të gjithave e gjithçkaje, ne si parti opozitare kemi ofruar Ligjin për Shëndetësinë, në mënyrë që t’ju dalim në mbrojtje qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësor, ndërsa si kundërpërgjigje kemi marrë padëgjueshmërinë”, ka shkruar tutje Zemaj.
Postimi i plotë:
“Paaftësia qeverisëse dhe mashtrimi i lë qytetarët pa shërbime shëndetësore. Me pak se 4 javë kemi mbi 30000 raste me Covid-19, apo 1,154 të infektuar në ditë. Vetëm për këto ditë kemi 33 jetë të humbura të qytetarëve nga Covid-19.
Ky rezultat është në vazhdën e dështimeve të paaftësisë qeverisëse, e cila mendonte se mund ta menaxhoj online pandeminë si dhe online sektorin e shëndetësisë. Është kjo Qeveri që profesionistët shëndetësor vazhdon t’i trajtoj me lëmoshë, gjersa vetëm për dy muaj 108 profesionistë shëndetësorë kanë lënë vendin, ndër ta edhe 36 specializantë.
Është kjo Qeveri që javë më parë nuk ua vazhdoi kontratat mbi 1,200 pjesëtarëve të stafit mbështetës në luftën kundër pandemisë. Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, janë stërzgjatur listat e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbimet shëndetësore, duke mbërritur deri në mesin e vitit 2023.
Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, vazhdon mungesa e barnave në listën esenciale e cila tashmë është bërë e zakonshme dhe e tmerrshme për pacientet. Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, si shumë medikamente të tjera, po mungon edhe medikamenti “Pembrolizumab” e që janë esenciale për pacientet të sëmurë me kancer, ndërsa pritja për ti marrë është nën mëshirën selektive të përzgjedhjes.
Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, pajisjet e radioterapisë u zhytën në ujë në Klinikën e Onkologjisë, e fatkeqësisht pacientët nuk e morën këtë shërbim për gati dy javë, e duke i gënjyer pacientët edhe sot presin në radhë të pritjes, gjersa paaftësia qeverisëse po vazhdon gjumin e thellë. Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, sipas KDI-së, Ministria e Shëndetësisë paguan 280% më shtrenjtë 1gr Paracetamol për injeksion në krahasim me vlerën e tregut me pakicë.
Edhe në këto javë të kësaj Qeverie vazhdon të dominoj arroganca, mosveprimi, propaganda, jo dëgjueshmëria profesionale, tipare këto të qeverisjeve të paafta dhe populliste.
Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, përkundër të gjithave e gjithçkaje, ne si parti opozitare kemi ofruar Ligjin për Shëndetësinë, në mënyrë që t’ju dalim në mbrojtje qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësor, ndërsa si kundërpërgjigje kemi marrë padëgjueshmërinë. Këto janë vetëm disa nga dështimet e fundit të kësaj Qeverie, që e bëjnë epilogun e tmerrshëm në fushën e shëndetësisë, ku burim parësor definitivisht e kanë paaftësinë.
Mos të harrojmë se, ditë më parë, Ministri i Shëndetësisë, ka deklaruar se në rast dështimi ai kthehet nga ka ardhur. Pra, së pari është e frikshme se si vetëm ai dhe Qeveria e tij nuk po e sheh dështimin e tyre të thellë në shëndetësi. Së dyti, në të njëjtën frymë, vetëm këta vendosin nëse kanë dështuar apo jo, dhe në rast se e pranojnë dështimin, vetëm atëherë zyrtarizohet paaftësia qeverisëse.