Ukraina ka rreth 10 miliardë dollarë drithë në dispozicion për shitje në vazhdën e një marrëveshjeje të nënshkruar me Rusinë për të zhbllokuar furnizimet dhe gjithashtu do të ketë një shans për të shitur të korrat aktuale, ka thënë presidenti Volodymyr Zelensky.
“Përafërsisht 20 milionë tonë të korrave të drithit të vitit të kaluar do të eksportohen. Do të ketë gjithashtu një shans për të shitur të korrat e këtij viti… për momentin kemi rreth 10 miliardë dollarë drithëra në dispozicion”, ka theksuar Zelensky.
Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje historike të premten në Stamboll për të rihapur portet ukrainase të Detit të Zi për eksportet e grurit, duke rritur shpresat se një krizë ndërkombëtare ushqimore e përkeqësuar nga inkursioni rus mund të lehtësohet.
“Ky është një tjetër demonstrim se Ukraina mund t’i rezistojë luftës”, citohet të ketë thënë ai në një fjalim të premten vonë.
“Në këtë kontekst, i jam veçanërisht mirënjohës Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për përpjekjet e tyre”, shtoi Zelensky.
Marrëveshja e Stambollit, e ndërmjetësuar nga Turqia, është një shans për të parandaluar një katastrofë globale ushqimore që mund të shkaktojë kaos në shumë vende, tha më tej Zelensky.