Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vlerësoi të premten vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për lëshimin e urdhrave për arrestimin e presidentit rus, Vladimir Putin dhe të komisioneres për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova.
“Sot kemi një vendim të rëndësishëm të drejtësisë ndërkombëtare. Një rast që ka perspektivë reale”, tha Zelensky dhe shtoi se “ky është një vendim historik që do të dërgojë në përgjegjësi historike”.
I pari i Ukrainës tha se hetimet sugjeruan gjithashtu se Kremlini ishte përfshirë drejtpërdrejtë në dëbimin me forcë të fëmijëve në Rusi, raporton cnn.
“Oficerët tanë të zbatimit të ligjit tashmë kanë regjistruar më shumë se 16 mijë raste të dëbimit me forcë të fëmijëve ukrainas nga okupatori. Por numri real, i plotë i të dëbuarve mund të jetë shumë më i lartë”, tha ai.
Një operacion i tillë kriminal do të ishte i pamundur pa urdhrin e liderit më të lartë të shtetit terrorist, shtoi 45-vjeçari.
Zelensky vazhdoi të falënderojë ICC-në dhe Kryeprokurorin, Karim Khan.
Ndryshe, deri më tani, zyrtarët ukrainas kanë mundur të kthejnë 300 fëmijë që ishin dëbuar me forcë në Rusi.